Lidhje

Një infermiere spanjolle preket nga Ebola


Një infermiere spanjolle e cila ndihmoi në trajtimin e një të sëmuri me Ebolën në një spital të Madridit është infektuar me virusin, duke u bërë personi i parë që infektohet me Ebolën jashtë Afrikës Perëndimore.

Zyrtarët spanjollë të shëndetësisë thanë dje se infermierja ishte pjesë e ekipit mjekësor që trajtoi një prift 69-vjeçar spanjoll i cili vdiq në një spital muajin e kaluar pasi ishte sjellur nga Sierra Leone.

Pavarësisht lajmit nga Spanja dhe trajtimit të amerikanit të pestë të sëmurë me Ebolën, Presidenti Barak Obama tha të hënën se shanset për një shpërthim të Ebolës në Shtetet e Bashkuara janë "jashtëzakonisht të vogla".

Presidenti Obama tha se administrata e tij është duke punuar në vendosjen e protokolleve shtesë të kontrollit të pasagjerëve të aeroplanëve për të identifikuar njerëzit që mund të jenë të infektuar me virusin vdekjeprurës. Presidenti Obama tha gjithashtu se ai do të shtojë trysninë mbi vendet e mëdha për të kontribuar në përpjekjet për të ndihmuar vendet e Afrikës Perëndimore që po ndeshen me vështirësi në përpjekjet për të vënë në kontroll përhapjen e Ebolës.

Ndërkohë që autoritetet në shtetin e Teksasit vazhdojnë të merren me rastin e vetëm të Ebolës të diagonstikuar në territorin amerikan, Presidenti Obama zhvilloi një takim dje me anëtarët e kabinetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë të ekipit që ai ka ngritur për të ndaluar shpërthimin e sëmundjes në vend.

Udhëheqësi amerikan tha se përveç fillimit të një fushate edukimi për punonjësit amerikanë të shëndetësisë mbi Ebolën, ekipi i tij është duke shqyrtuar marrjen e masa të reja për të kontrolluar pasagjerët që udhëtojnë nga Afrika Perëndimore në Shtetet e Bashkuara.

"Ne gjithashtu do të punojmë në vendosjen e procedurave shtesë për kontrollin e pasagjerëve në vendet nga ku ata nisen dhe këtu në Shtetet e Bashkuara".

Zyrtarët amerikanë nuk janë duke shqyrtuar ndalimin e udhëtimeve. Ata thonë se një gjë e tillë do të pengonte shpërndarjen e furnizimeve mjekësore dhe pajisjeve në rajonet e goditura të Afrikës Perëndimore, pasi transportuesit tregtare dërgojnë shumica e ndihmave në rajon.
Pavarësisht nga rasti i Ebolës në Teksas, zoti Obama thotë se mundësia e një shpërthimi të sëmundjes në Shtetet e Bashkuara është shumë e vogël. Por ai tha se është në interesin më të mirë të amerikanëve për të ndaluar sëmundjen në vendburimin e saj në Afrikën Perëndimore.

"Ndërkohë që ne po flasim, mijëra fëmijë në rrugë po vdesin nga kjo sëmundje. Dhe padyshim puna ime e parë është të kujdesem për popullin amerikan, por ne kemi një rol më të madh se kaq".

Presidenti Obama tha se është duke u bërë përparim në luftën kundër Ebolës, por ai tha se shumë vende më të mëdha duhet të bëjnë më shumë në përpjekjet kundër kësaj epidemie.
Ai tha se ka në plan të shtojë thirrjet e tij për anëtarët e komunitetit ndërkombëtar që të shtojnë donacionet dhe personelin për vendet e Afrikës Perëndimore.

XS
SM
MD
LG