Lidhje

Thaçi: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë - domosdoshmëri


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në takime dhe forume me udhëheqës ndërkombëtarë, tha se normalizimi i marrëdhënieve të vendit të tij me Serbinë është bërë një domosdoshmëri por Beogradin e pengon mentaliteti i së kaluarës. Ndërkohë, ai i quajti qesharake kritikat që i janë bërë qeverisë për shpenzime të tepruara të delegacionit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara.


Kryeministri Thaçi nuk dha ndonjë datë për bisedime të mundshme me Serbinë mbi normalizimin e marrëdhënieve, por tha se normalizimi është bërë një domosdoshmëri. I pyetur se çfarë, sipas tij, e pengon Beogradin, zoti Thaçi tha:

“I pengon mentaliteti i së kaluarës. I pengon që kanë mbetur ende peng i atij mentaliteti dhe atij veprimi gjenocidal që kanë kryer në Kosovë. Ende lidershipi i tyre jeton me ëndrrat e së kaluarës, prandaj lidershipi në Beograd duhet të çlirohet nga e kaluara dhe të shohë nga e ardhmja, të marrë vendime përkatëse për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin e Kosovës. Kosova ka një subjektivitet të fuqishëm tani ndërkombëtar. Mund të ndodhë fqinjësia e mirë edhe pa njohje reciproke, por që nënkupton normalizimin e marrëdhënieve të një perspektive evropiane gjithë-rajonale”.

Duke folur për mënyrën se si mund të zgjidhet çështja e veriut të Kosovës, që banohet nga shumicë serbe, Kryeministri Thaçi tha se ai i kupton hezitimet e serbëve në veri, por atyre u duhet thënë e vërteta.

“Unë kam prezantuar planin tim në kryeqytetet më të rëndësishme të botës për integrimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës, për lëvizjen e lirë, për sundimin e ligjit, për rend dhe demokraci, për zgjedhje të lira, për zgjedhjen e lidershipit legjitim në detyrë të tri komunave, por edhe për investime ekonomike. Prandaj, ajo që Serbia mund t’i ndihmojë më së tepërmi qytetarët serbë në veri të Mitrovicës është t’u thotë të vërtetën se pjesa veriore e Mitrovicës është Kosovë, se ata duhet t’i bashkangjiten institucioneve kosovare. I kuptoj hezitimet e tyre, sepse kanë jetuar 12 vite me mashtrimet e Beogradit për ndarje. Nga 25 korriku i vitit të kaluar ajo ëndërr e Beogradit është shuar një herë e përgjithmonë dhe do të punojmë për të ardhmen evropiane me integritetin territorial të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës”.

Ndërkohë janë shtuar zërat për ndryshime në skenën politike të Kosovës për shkak të nevojës për një përfshirje më të gjerë në procesin e bisedimeve politike me Beogradin, nëse ato zhvillohen. Zoti Thaçi mohoi mundësinë e ndryshimeve në koalicion apo të zgjedhjeve të parakohëshme.

“Koalicioni është funksional. Zgjedhje të parakohëshme nuk do të ketë. Unë respektoj opinionet e ndryshme. Falenderoj edhe një spektër të fuqishëm të opozitës që iu ka bashkangjitur tani përcaktimit të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të Kosovës për dialogun si mundësi për fqinjësi të mirë. Ne, dialog kemi zhvilluar edhe me Maqedoninë, edhe me vende të tjera të rajonit për çështje të ndryshme teknike. Por për rregullimin e brendshëm, edhe një herë e theksoj, do të respektohet gjithmonë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Kështu që do të vazhdohet të punohet me maxhorancën aktuale. Natyrisht gjithmonë e hapur për t’i dëgjuar dhe marrë këshillat, për edhe për të participuar opozita në procese të rëndësishme shtet-formuese dhe afirmuese për Kosovën”.

Një pjesë e medias, por edhe e opozitës në Kosovë ka bërë kritika të shumta për ato që ata i quajnë shpenzime të tepruara të delegacionit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara. Zoti Thaçi nuk u kushtoi rëndësi kritikave.

“Theksoj – deklarime qesharake. Janë më tepër të qasjes politike, partiake, elektorale. Kosova duhet të përfaqësohet dinjitetshëm me përfaqësuesit e saj më të lartë. Ne këtu zhvillojmë takime me të gjithë liderët botërorë të spektrit të ndryshëm, mund të them. Prandaj ne kemi edhe prezantim, edhe pjesëmarrje në takimet e ndryshme, edhe bilaterale edhe rajonale, edhe forume të ndryshme botërore e në të njëjtën kohë duhet të punojmë të gjithë me liderët e tjerë edhe për procesin e njohjeve. Dhe mund të them se kanë qenë takime dhe vizita jo të kënaqësisë, por raskapitëse në kuptimin e axhendës”.

Zoti Thaçi tha se takime të tilla që u shërbejnë njohjeve janë detyrime kushtetuese dhe për to duhet të investojnë të gjithë.
XS
SM
MD
LG