Lidhje

Bushati: Statusi i kandidatit në BE, do të përmirësonte klimën politike


Ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati po merr pjesë këto ditë në një konferencë për NATO-n dhe Bashkimin Evropian të organizuar nga Këshilli i Atlantikut, një organizatë jo-qevertiare në Uashington. Konferenca mblidhet për të shënuar arritjet drejt krijimit të një Evrope të lirë dhe të bashkuar. Konferenca po zvhillohet në një kohë kur në qendër të sigurisë së Evropës ka dalë kriza mes Rusisë dhe Ukrainës pas aneksimit të Krimesë nga Moska. Keida Kostreci e Zërit të Amerikës bisedoi sot me ministrin Bushati mbi ndikimin e kësaj situate për Ballkanin dhe pritshmëritë e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër, ju ndodheni këtu në Uashington kryesisht për të marrë pjesë në një konferencë e cila përqëndrohet tek roli i NATO-s, por edhe tek ai i BE-së për një Evropë të lirë dhe të bashkuar. Natyrisht, tema kryesore kanë qenë ngjarjet në Ukrainë, problemi më i madh gjeopolitik, që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Çfarë ndikimi ka kjo situatë për sigurinë e Ballkanit, ndërkohë që gjendja atje është ende e brishtë?
Kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati flet per Zerin e Amerikes
please wait

No media source currently available

0:00 0:13:02 0:00

Ditmir Bushati: Ne patëm mundësinë që të diskutojmë në këtë konferencë së bashku me kolegë nga vendet e Evropës dhe sekretarin e Shtetit Kerry lidhur me zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe për pasojat që sjellin këto zhvillime për arkitekturën e sigurisë evropiane, ku natyrisht Ballkani zë një vend të posaçëm. Kriza e Ukrainës ka sjellë efektet e saj edhe në rajonin tonë. Më lejoni të theksoj që sot për sot rajoni duket sikur është i ndarë në dy kategori: në kategorinë e vendeve të cilat i janë bashkëngjitur qëndrimeve të qarta të SHBA-së dhe BE-së, qoftë në planin bilateral ashtu dhe në suazën e organizmave ndërkombëtare dhe vendeve të tjera të rajonit të cilat për fat të keq kanë adoptuar ose një qasje neutrale ose një qasje abstenuese ndaj sanksioneve që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ndërmarrë ndaj Rusisë. Kjo ka sjellë edhe një herë në pikëpyetje për perimetrin e sigurisë të NATO-s në zonat rreth e përqark saj, të cilat, sidomos kur bëhet fjalë për Ballkanin, konsideroheshin zona nën një lloj mbikëqyrjeje perëndimore. Gjithashtu, këtë periudhë, kemi vënë re me shqetësim edhe disa paralele totalisht të pavërteta ndërmjet situatës në Ukrainë - përkatësisht Krimesë - dhe Kosovës, apo modelit federativ në Bosnje dhe një modeli të mundshëm federativ në Ukrainë. Të gjitha këto çështje kanë qenë pjesë e diskutimeve të konferencës tonë, ku me kënaqësi është riktheksuar nevoja për të riforcuar lidhjen transatlantike dhe nevoja për të vazhduar më tej, në mënyrë konkrete, me projektet e sigurisë në Evropë.

Zëri i Amerikës: Pas dy muajsh pritet të merret vendimi nga BE-ja, që Shqipëria shpreson të jetë pozitiv, për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. A jeni më optimist këtë radhë se Shqipëria do ta marrë këtë status dhe cilat do të ishin arsyet e optimizmit tuaj të mundshëm?

Ditmir Bushati: Jam realist që Shqipëria po ecën me hapa të sigurtë drejt kandidaturës në BE. Besoj që Këshilli, në qershor, do t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Është një vendim tashmë i vonuar kur vjen puna tek Shqipëria, sepse është një proces në të cilin vendi ka katër vjet që endet dhe që është pjesë përbërëse e tij. Por besoj që akordimi i statusit të vendit kandidat është vetëm një moment, i cili nënkupton hapjen e një kapitulli të ri, të vërtetë, në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por edhe në procesin e shtet-ndërtimit demokratik të Shqipërisë. Besoj se akordimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, sikurse ishte anëtarësimi në NATO pesë vite më parë, do të jetë një ogur i mirë, jo thjesht për zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, por do të projektohet në mënyrë pozitive edhe për pjesën tjetër të rajonit: më konkretisht, e kam fjalën për atë pjesë ku banojnë shqiptarë apo ku faktori politik shqiptar është pjesë e vendimmarrjes në proceset demokratike. Jemi duke punuar si në aspektin e brendshëm – me reforma në fushën e sundimit të ligjit, të cilat janë të dhimbshme e jolehtësisht të arritshme, por është e rëndësishme që kurba të jetë pozitive – sikundër jemi duke punuar dhe me vendet anëtare kyçe të Bashkimit Evropian, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Jo më pak e rëndësishme është dhe mbështetja e SHBA-së në këtë proces, sepse dihet që përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë ishte vendimtare për atë që sot është arkitektura e BE-së. Gjithashtu, përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan, dhe posaçërisht për Shqipërinë, do të jetë vendimtare dhe për avancimin e Shqipërisë në rrjedhat evropiane.

Zëri i Amerikës: Klima politike ka qenë gjithmonë një thembër e Akilit sa i takon proceseve integruese të Shqipërisë në organizmat euroatlantike, në këtë rast: në Bashkimin Evropian. Duket se acarimet politike vazhdojnë në Shqipëri. Si mendoni ju se ndikon një gjë e tillë dhe a ka shpresa që të tejkalohet kjo lloj klime politike në favor të një qëllimi më të madh të vendit?

Ditmir Bushati: Unë uroj, shpresoj dhe besoj që pas vendimit të BE-së në qershor klima politike në Shqipëri do të jetë më e paqtë e më mirëkuptuese, sidomos në lidhje me reformat kryesore shtet-ndërtuese, për të cilat ka nevojë për një proces mirëkuptimi, dialogu dhe gjithpërfshirjeje. Besoj gjithashtu që marrja e statusit të vendit kandidat do të vendoste në qoshe dhe do të izolonte disa fenomene politike në Shqipëri të papëlqyeshme. Vjet ne kishim një moment jashtëzakonisht pozitiv, kur në prag të vendimmarrjes për statusin e vendit kandidat, Kuvendi i Shqipërisë, njëzëri, pra të gjithë deputetët pavarësisht bindjeve politike, iu drejtuan BE-së nëpërmjet një rezolute ku shprehnin kërkesën për mbështje për statusin e vendit kandidat. Besoj se klasa politike shqiptare, pas qershorit, do të ketë detyra të tjera edhe më të vështira, për t’u përballur jo thjesht me BE-në dhe me kërkesat impenjative që burojnë nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por mbi të gjitha për t’iu përgjigjur kërkesave që vijnë nga qytetarët shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Pra ju mendoni se një hap më tepër nga BE-ja për Shqipërinë do të përmirësonte klimën politike në vend?

Ditmir Bushati: Absoltisht po, sepse në një rast të tillë qeverisja do të jetë më e monitoruar nga ana e Bashkimit Evropian, opozita do të ketë një kanal më të sigurt komunikimi jo thjesht me qeverinë, por edhe me BE-në për të adresuar shqetësimet që ka çdo opozitë, pavarësisht nëse janë apo jo legjitime, apo nëse unë si përfaqësues i qeverisë do të bija ose jo dakord me to. Gjithashtu, publiku shqiptar, grupet e interesit, shoqëria civile falë këtij procesi do të kenë mundësi për të ndikuar në politikat qeverisëse, për ta shëndoshur procesin vendimmarrës në Shqipëri. Siç kemi parë edhe në vende të tjera, për shembull Kroacia, që konsiderohet gjerësisht si një model suksesi, procesi i anëtarësimit në BE ofron një kuadër shumë të qartë ku çdo aktor mund të pozicionohet qartësisht dhe çdo aktor mund të identifikojë përfitimet e veta që vijnë nga ky proces.

Zëri i Amerikës: Duke kaluar pak më gjerë në rajon, shohim se ka pasur dy zhvillime të rëndësishme këto dy javët e fundit. Le të flasim fillimisht për Kosovën, ku u mor vendimi për krijimin e një gjykate të posaçme për krimet e luftës. Cili është mendimi juaj për këtë zhvillim që ka ngjallur shumë debate?

Ditmir Bushati: Ky është një vendim i autoriteteve legjitime të Kosovës për t’i dhënë dritën e gjelbër krijimit të një tribunali ad hoc i cili do të gjykojë krimet e pretenduara në një periudhë të caktuar kohore që mund të kenë ndodhur në Kosovë. Është një vendim kurajoz i autoriteteve të Kosovës të cilat duan të garantojnë një nivel sa më të lartë të mundshëm të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, çka nuk ka qenë rasti për fat të keq për vende të tjera që dolën nga suaza e ish-Jugosllavisë. Por është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet që pastrimi i qiellit të Kosovës nga çdo re i hap rrugën perspektivës më të qartë euro-atlantike të Kosovës dhe nga ana tjetër besoj se e lartëson edhe më tej luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjakun e derdhur për liri, pasi askush nuk do të mund të jetë në pozitë për të baltosur idealet e luftës dhe vlerat e saj.

Zëri i Amerikës: Pyetja e fundit është për situatën në Maqedoni, ku sapo u mbajtën zgjedhjet. Shqiptarët shkuan në këto zgjedhje të ndarë, të përçarë. Sa mendoni se ndikoi kjo në rezultat dhe cilat ishin pasojat e këtyre veprimeve politike të faktorit shqiptar në Maqedoni?

Ditmir Bushati: Si përfaqësues i qeverisë shqiptare, si ministër i Jashtëm unë jam në kontakt të vazhdueshëm me faktorin politik shqiptar në Maqedoni, përveçse me faktorin shtetëror dhe politik maqedonas. Gjithmonë kam bërë thirrje duke nxitur një kohezion më të madh mes faktorit politik shqiptar, si për sa i përket zgjedhjeve presidenciale ashtu dhe atyre parlamentare. Është e rëndësishme të theksohet që e ardhmja e Maqedonisë, stabiliteti i saj demokratik, projektimi i saj në rajon dhe ankorimi në rrjedhat euro-atlantike do të varen shumë nga mënyra se si zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo marrëveshje është themeli për modernizimin e shtetit maqedonas dhe ky modernizim nuk mund të konceptohet pa një bashkëpunim të qartë ndërmjet dy komuniteteve kryesore shtet-formuese në Maqedoni. Uroj që nga këto zgjedhje të ketë nxjerrë mësimet e duhura faktori politik shqiptar. Gjithashtu, nuk do të doja kurrë të besoja që dikush do të mund të mendonte se mund të qeveriste Maqedoninë pa pjesëmarrjen solide e kontributin e qartë të faktorit politik shqiptar, sepse më shumë se zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë, apo mosmarrveshjet dypalëshe që Maqedonia mund të ketë me shtete të ndryshme në rajon, është i rëndësishëm stabiliteti dhe ankorimi i saj në rrjedhat euro-atlantike, i cili do të vijë vetëm përmes një bashkëpunimi jashtëzakonisht të qartë dhe respektimit në frymë dhe në gërmë të Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë kuadër, ne do të vazhdojmë të inkurajojmë dhe të punojmë ngushtësisht me të gjithë faktorin politik shqiptar për të pasur një qëndrim sa më të sinkronizuar, në mënyrë që jo vetëm faktori politik shqiptar të mund të jetë i mirëpërfaqësuar në jetën publike dhe institucionale në Maqedoni, por dhe që Maqedonia të mund të bëjë hapa përpara në mënyrën e duhur.
XS
SM
MD
LG