Lidhje

Europianët: marrëveshja me Iranin po funksionon


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian Federica Mogherini tha se marrëveshja botërore për programin bërthamor të Iranit është duke funksionuar dhe se ndërsa ekzistojnë shqetësime lidhur me zhvillimin e raketave balistike nga Irani, si dhe të aktiviteteve të tjera në Lindjen e Mesme, ato duhen trajtuar si çështje më vete.

Zonja Mogerini i bëri këto komente pas një takimi të enjten në Bruksel me ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Iranit, për të diskutuar lidhur me marrëveshjen e vitit 2015, që kufizon programin bërthamor të Iranit, mes shqetësimeve se Teherani po përpiqej të prodhonte armë bërthamore; si shkëmbim, marrëveshja i lehtësoi Iranit sanksionet financiare.

Teherani ka këmbëngulur vazhdimisht se programi bërthamor është i një natyre paqësore. Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif nuk u shfaq krahas me diplomatët e tjerë, kur ata dhanë konferencë shtypi, por të mërkurën ai shprehu mbështetje për marrëveshjen dhe i akuzoi Shtetet e Bashkuara për zbatimin e politikave destruktive.

Zonja Mogherini tha se marrëveshja ka lejuar të zhvillohet një dialog dhe një bashkëpunim më i thellë me Iranin për të gjitha çështjet, ndërsa theksoi nevojën që ajo të vazhdojë të funksionojë me sukses.

"Uniteti i komunitetit ndërkombëtar është i nevojshëm për të ruajtur një marrëveshje e cila funksionon, që po e bën botën një vend më të sigurtë dhe që po parandalon një marrëveshje të mundshme të armëve bërthamore në rajon; ne presim që të gjitha palët të vazhdojnë ta zbatojnë atë”, - tha zonja Mogherini.

Komente të ngjashme bënë edhe ministrat e jashtëm të Francës dhe Britanisë, duke e vlerësuar marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Presidenti Donald Trump pritet të vendosë nesër, të premten, në se do të vazhdohet me lehtësimin e sanksioneve amerikane ndaj Iranit, të cilat fillimisht u vunë si presion ndaj Teheranit, që të hiqte dorë nga aktiviteti i armëve bërthamore.

Marrëveshja e vitit 2015 hyri në fuqi përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ajo kërkonte monitorimin e zbatimit të saj nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore dhe garanci nga kjo agjenci që Irani të resepektonte kërkesën e marrëveshjes: kufizimin e aktivitetit të pasurimit të uraniumit dhe çmontimin e pajisjeve të nevojshme për aktivitet bërthamor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG