Lidhje

Tërmetet në Iran: 300 të vdekur, 3000 të plagosur


Si pasojë e dëmeve masive të shkaktuara nga dy tërmetet e fuqishme, shumë banorë në fshatin Varzaqan janë zhytur në mjerim të thellë

Irani e ngriti në më shumë se 300 numrin e vdekjeve nga dy tërmetet e së shtunës. Më shumë se 3.000 veta janë plagosur. Dje, ekipet e shpëtimit e quajtën të mbyllur kërkimin për të mbijetuarit.

Si pasojë e dëmeve masive të shkaktuara nga dy tërmete të fuqishme që goditën njëri pas tjetrit të shtunën vonë, shumë banorë në fshatin Varzaqan janë zhytur në mjerim të thellë.
Mina, një banore fshatit, thotë se shtëpia e saj u shkatërrua plotësisht nga tërmetet, dhe se tani familjes së saj nuk i ka mbetur asgjë.

"Tërmeti shkatërroi çdo shtëpi, dhe jetët tona janë shkatërruar. Tani, ne nuk kemi asgjë, vetëm një tendë të vogël. Ne nuk patëm kohë as për ta parë shtëpinë kur ajo po lëkundej, kishim vetëm disa sekonda për të dalë jashtë. Kur kthyem kokën, çatia ishte zhdukur," tregon Mina.

Ministri iranian i Shëndetësisë tha sot në parlament se numri i të vdekurve është 306, dhe më shumë se 3.000 veta janë plagosur.

Tërmetet e së shtunës kishin një fuqi prej 6.4 dhe 6.3 shkallësh dhe rrafshuan disa fshatra afër qytetit të Tabrizit dhe duke dëmtuar rëndë disa të tjerë.

Zyra e shefit të OKB-së Ban Ki-moon bëri sot një deklaratë për të shprehur ngushëllimet e Sekretarit të Përgjithshëm dhe për të ofruar mbështetje humanitare.

Shtetet e Bashkuara ofruan dje ndihmë dhe ngushëllime për popullin e Iranit. Deklarata e Shtëpisë së Bardhë i drejtohet "popullit iranian" dhe thotë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme “të ofrojnë ndihmë në këtë kohë të vështirë", por aty nuk përmendej qeveria iraniane.

Dhjetra lëkundje pastërmeti kanë tronditur zonën, duke bërë që mijëra njerëz t’i kalojnë netët jashtë.

Tërmetet janë të zakonshme në Iran, por pak prej tyre janë të fuqishme. Tërmeti i fundit i madh ishte ai i vitit 2003 me një magnitudë prej 6,6. Ai goditi qytetin juglindor Bam, dhe la 30,000 të vdekur.

XS
SM
MD
LG