Lidhje

Iran, rrëzohet avioni ukrainas, 176 të vdekur


Agjencia amerikane mbi Sigurinë në Transport njoftoi se po monitoron zhvillimet rreth rrëzimit të një avioni Boeing 737 në Teheran, pak minuta pas nisjes, ku si pasojë mbetën të vdekur të 176 personat që ndodheshin në bordin e tij.

Agjencia tha se mund të kërkojë të marrë pjesë në hetimet që do të kryejnë autoritetet iraniane si përfaqësues i akredituar bazuar në ligjin ndërkombëtar, nisur nga fakti që aeroplani ishte një prodhim amerikan.

Avioni ishte nisur drejt Kievit. Kryeministri i Ukrainës tha se në bordin e tij ndodheshin 167 pasagjerë dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Vadym Prystaiko tha se mes personave të vdekur 82 ishin shtetas iranianë, 63 kanadezë, 11 ukrainës, 10 suedezë, katër afganë, tre gjermanë dhe tre britanikë.

Autoritetet iraniane kanë nisur hetimet mbi ngjarjen. Sipas njoftimeve në median shtetërore iraniane dyshohet se shkak i rrëzimit mund të kenë qenë një problem teknik, por lidhur me këtë nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar.

Presidenti i linjës ajrore ndërkombëtare të Ukrainës Yevhen Dykhne tha në një konferencë shtypi se avioni ishte një nga më të mirët që kishte kjo linjë, me një ekuipazh të jashtëzakonshëm e të besueshëm, siç tha ai.

Përfaqësues të saj thanë se aeroplani ishte prodhim i vitit 2016 dhe se dy ditë më parë (të hënën), ndaj tij ishte kryer shërbimi i rregullt i mirëmbajtjes.

Pas ngjarjes linja ajrore ka ndalur për një afat të pacaktuar udhëtimet drejt Teheranit

Kompania e prodhimit të avionëve Boeing tha se po mbledh më shumë informacion rreth ngjarjes.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se po i ndjek zhvillimet nga afër dhe është i përgatitur t'i ofrojë Ukrainës gjithë ndihmën e nevojshme. Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për bashkëpunim të plotë për të gjitha hetimet lidhur me shkakun e rrëzimit.

Të dhënat e fluturimit tregojnë se aeroplani u ngrit nga aeroporti të mërkurën në mëngjes dhe pothuajse menjëherë e ndali dërgimin e të dhënave, sipas faqes së internetit FlightRadar24.

Televizioni iranian tha se rrëzimi ishte pasojë e problemeve teknike por pa hollësi të tjera. Sipas televizionit shtetëror, një nga dy kutitë e zeza tashmë është gjetur.

Media iraniane citoi një zyrtar të aviacionit të ketë thënë se piloti nuk ishte dërguar ndonjë shenjë emergjence.

Rrëzimi ndodhi disa orë pasi Irani ndërmori një sulm me raketa balistike që kishin në shënjestër dy baza në Irak ku janë stacionuar trupa nga Shtetet e Bashkuara, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit të Rojave Revolucionare, Kasem Soleimani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG