Një shtëpi e re në Teheran ka tërhequr vëmendje të madhe. Shtëpia, me projekt të arkitektit të njohur Alireza Tagaboni ka tre dhoma rrotulluese në mënyrë që banorët e saj të kenë mundësi të jenë me fytyrë nga dielli, si dhe të zgjedhin pamjet më tërheqëse të qytetit.
Shtëpia është ndërtuar në një zonë luksoze të kryeqytetit iranian dhe ka tre nivele rrotulluese dhe aftësinë e ndryshimit të formës, falë pjesëve të saj lëvizëze. Me një shtypje butoni, secila nga tre dhomat e gjumit mund të rrotullohet deri në 90 gradë dhe të ofrojë një pamje të re.
Por dritaret mund të palosen brenda vetes dhe rrjedhimisht dhoma shndërrohet në një ambjent më intim. Për të realizuar të gjitha këto lëvizje shtëpia është ndërtuar mbi një platformë që mban deri në 22 tonë peshë.
Arkitekti thotë se shtëpia ndryshon me stinët. Në dimër, kur ballkoni nuk përdoret dhe pamja jashtë dritareve bëhet më e pakëndshme, dritaret mbyllen dhe vëmendja përqëndrohet në mjediset e brendshme. Ai thotë se frymëzimi kryesor është marrë nga ndërtesat e lashta iraniane, ku hapësirat boshe dhe privatësia vlerësoheshin shumë.