Lidhje

Irani, Iraku vendet me më shumë ekzekutime


Organizata Amnesty International thotë se Irani dhe Iraku kanë shkaktuar një rritje të konsiderueshme të dënimeve me vdekje në botë në vitin 2013. Amnesty thotë se Kina është në krye të listës, pasuar nga Irani, Iraku, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara.

Një rritje e ndjeshme e numrit të ekzekutimeve në Irak dhe Iran kontribuoi tek një numër i përgjithshëm i lartë dënimesh me vdekje në gjithë botën në vitin 2013, thotë Audrey Gaughran e Amnesty International.

“Sipas të dhënave tona, vitin e kaluar në Iran janë kryer 369 ekzekutime, një shifër tepër shqetësuese. Shumë njerëz kanë komentuar për përmasat e ekzekutimeve në Iran. Por ne besojmë se ky numër mund të jetë edhe më i lartë”.

Amnesty njofton se numri i ekzekutimeve në Irak ishte 169.

Edhe Somalia ka kontribuar në rritjen e numrit të përgjithshëm, me 34 të tilla.

“Shumë nga ekzekutimet që kemi regjistruar këtë vit ishin në rajonin autonom të Puntlandit. Më duhet të theksoj se numri i ekzekutimeve që kemi dokumentuar në Somali, mund të jetë më i vogël nga ai reali”.

Amnesty thotë se beson se Kina është në krye të listës nga numri i të burgosurve që ekzekutohen çdo vit, që mendohet të jenë me mijëra.

Në fillim të këtij muaji, Kongresi Kombëtar i Kinës, tha se Pekini po shqyrtonte mundësinë e uljes së numrit të krimeve që dënohen me ekzekutim.

“Aktualisht, ne kemi përftshirë amendamentin për Ligjin Penal në programin vjetor legjislativ. Ne po shqyrtojmë pakësimin gradual të veprave penale që dënohen me vdekje”.

Kina vazhdon t’i mbajë sekret politikat për dënimin me vdekje, thotë Audrey Gaughran.

“Deri në momentin kur autoritetet kineze t’i publikojnë dënimet me vdekje dhe ekzekutimet, nuk do të jetë e mundur të konfirmohet nëse pohimet e tyre për uljen e përdorimit të dënimit me vdekje, janë të vërteta”.

Shtetet e Bashkuara ishin të pestat në listë, me 39 ekzekutime në vitin 2013, një vend pas Arabisë Saudite me 79.

Kompanitë farmaceutike në Shtetet e Bashkuara kanë filluar të mos pranojnë të japin injeksionet vdekjeprurëse, duke detyruar autoritetet shtetërore që t’i kërkojnë ato në kompani me rregulla më pak të rrepta.

Disa të dënuar me vdekje kanë hapur çështje gjyqësore kundër dënimeve të tyre, duke thënë se përdorimi i lëndëve të prodhuara nën rregulla jo aq të rrepta, mund të shkaktojë dhimbje të jashtëzakonshme dhe është çnjerëzor.

Muajin e kaluar, Michael Taylor, i shpallur fajtor për përdhunimin dhe vrasjen e një adoleshenteje në vitin 1989, e humbi gjyqin dhe u ekzekutua në Missouri.

Amnesty thotë se gjithsej 22 vende në gjithë botën, patën dënime me vdekje në vitin 2013, një më pak sesa në vitin 2012.
XS
SM
MD
LG