Lidhje

Irani dhe Iraku arrijnë marrëveshje për shitjen e armëve


Sipas një raporti të publikuar, Iraku ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e armëve nga Irani, duke shkelur një embargo të OKB –së që ndalon shitjen e armëve nga Teherani.

Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se ka parë dokumentet që thonë se marrëveshja me vlerë 195 milionë dollarë do të përfshijë blerjen e armëve të lehta dhe të mesme, lloje të ndryshme të municionit, pajisje për mbrojtjen kundër agjentëve kimikë dhe pajisje të komunikimit.

Reuters tha se marrëveshja u arrit në fund të muajit nëntor vetëm disa javë pasi kryeministri i Irakut Nuri al - Maliki kishte vizituar Uashingtonin për t’i kërkuar administratës së Presidentit Obama më shumë armë për të luftuar militantët e lidhur me Al - Kaidën.

Një zëdhënës i Kryeministrit të Irakut nuk konfirmojë e as nuk e mohojë blerjen e armëve, por tha se një marrëveshje e tillë do të ishte e kuptueshme duke marrë parasysh problemet aktuale të sigurisë në Irak. Disa ligjvënës irakianë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se kryeministri Al-Maliki e ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen armëve nga Irani sepse ai ishte lodhur me vonesat e dërgesave të armëve amerikane.
Qeveria iraniane mohoi se është në dijeni për një marrëveshje për shitjen e armëve Irakut.

Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit hodhi poshtë idenë se Uashingtoni i ka ngadalësuar dërgesat e armëve për Irakun. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë "sqarime" nga Iraku në lidhje me njoftimin për blerjen e armëve nga Irani, i cili, në qoftë se është i vërtetë, do të "ngrejë shqetësime serioze."
XS
SM
MD
LG