Lidhje

Nafta kurde e Irakut


Marrja nën kontroll e dy zonave të mëdha të naftës në Kirkuk nga luftëtarët kurdë në Irakun e veriut do të ndihmojë rajonin e tyre, në pjesë të madhe autonom, të përballojë vetë nevojat e energjisë, dhe shihet si një tjetër hap i qeverisë rajonale të Kurdistanit drejt pavarësisë. Objektet e naftës ishin braktisur nga forcat irakiane, që u tërhoqën pas një avancimi të militantëve të shtetit islamik.

Llogaritet se katër përqind e rezervave të njohura të naftës në botë shtrihen nën këto zona ranore në Kirkuk. Është një pasuri që kurdët e Irakut kanë kohë që kërkojnë ta kenë nën kontroll.

Rasti erdhi më 11 korrik kur luftëtarët kurdë Peshmerga morën nën kontroll të dy fushat e naftës.

Kurdët e Irakut thonë se rajoni i tyre autonom në veri do t’i plotësojë vetë nevojat me energji deri në fund të vitit.

"Ne do të jemi të lirë t’i përdorim vetë të ardhurat tona, dhe jo të kontrollohen nga diktatorët e Bagdatit", thotë Ashti Hawrami, Ministër i rajonit kurd për Burime Natyrore.

Bagdadi këmbëngul se të gjitha të ardhurat nga nafta duhet të kanalizohen përmes qeverisë qëndrore. Këtë vit ai mbajti pjesë të buxhetit për Qeverinë Rajonale të Kurdistanit, apo KRG, pasi kurdët filluan të eksportonin naftë përmes Turqisë.

Por me marrjen nën kontroll të fushave, kurdët kanë në plan të zgjerojë prodhimin.

"Kemi plane për një rafineri të madhe në Dohuk dhe disa më të vogla, si dhe për zgjerimin e një tjetre në Bazian. Kjo në fakt është duke u ndërtuar, tani.”

Por gjetja e blerësve për naftën kurde mund të jetë problem, thotë konsulentija e energjisë Valérie Marcel me institutin Chatham House.

"Çështja me marrjen e Kirkukut dhe eksportet e Qeverisë Rajonale të Kurdistanit, shtrohet në aspektin e sovranitetit dhe naftës së kontestuar. Blerësit mund të tërhiqen pasi ata mund të përjashtohen nga eksportet e Irakut në të ardhmen. Pra për ta do të ishte shumë e rrezikshme."

Një gazsjellës i ri, i hapur në maj lidh Kirkukun me rrjetin e Kurdistanit deri në Turqi. Qeveria rajonale e Kurdistanit shpreson të eksportojë 400 mijë fuçi nafte në ditë, deri në vitin 2015.

"Hapja e gazsjellësit nga Kurdistani në Turqi është arritje, pasi e aftëson Kurdistanin të shkëputet nga Bagdati dhe nga Lindja e mesme në përgjithësi dhe të kthehet drejt Turqisë dhe Evropës. Kjo i krijon më shumë mundësira", thotë zonja Marcel.

Kurdët kanë pretenduar me kohë që Kirkuku është pjesë e atdheut të tyre dhe janë të vendosur ta mbrojnë atë. 62-vjecari Omar Hassan Mawlood jeton në kryeqytetin e rajonit, Irbil.

"Në vitin 1991, kur ushtria irakiane erdhi dhe pushtoi Kirkukun, isha këtu. Edhe tani jam gati. Në se e di se ushtria ka nevojë për mua, jam gati të sakrifikojë gjakun tim, familjen time."

Mes trazirave në Irak, kurdët shohin mundësi. Udhëheqësit e këtij rajoni i shohin fushat me naftë të Kirkukut si një themel ekonomik për të ardhmen e shtetit kurd.

XS
SM
MD
LG