Lidhje

Irak, gjendet një tjetër varr masiv me viktima të Shtetit Islamik


Autoritetet irakiane njoftuan se kanë identifikuar një tjetër varr masiv në pyjet e Hauixhas, në provincën Kirkuk. Këtu mendohet se Shteti Islamik ka ekzekutuar viktima të shumta, ndër ta edhe fëmijë.

Varri masiv pranë fshatit al-Daghila u zbulua nëntë ditë më parë nga barinjtë që kullosnin dhentë në pyjet e zonë. Ata njoftuan autoritetet lokale për çfarë kishin gjetur.

“Na informuan për ekzistencën e këtij varri masiv të njerëzve të vrarë nga Shteti Islamik. Vendndodhja u lejoi të fshihnin dhe ekzekutonin njerëz nga ky rajon dhe rajone të tjera. Na njoftuan rreth një javë më parë për zbulimin e tij”, informoi Dawoud Salman Al Shameri, komandant i divizionit të 6-të irakian.

Mendohet se në varrin masiv gjenden dhjetëra viktima, duke gjykuar nga sasia e rrobave dhe batanijeve të groposura.

Policia federale njoftoi se do të ruajë zonën deri sa të mbërrijnë ekspertë e zhvarrimit nga Bagdati.

Banorët e fshatit al-Daghila thonë se kanë parë vetë disa prej ekzekutimeve nga Shteti Islamik, pasi vendi është pranë rrugës drejt fshatit të tyre.

"Fshati gjendet këtu pranë dhe këtu kalon rruga. I kemi parë të vrisnin viktimat të veshur me rroba të kuqe. Ndonjëherë i vrisnin më tej dhe pastaj i sillnin këtu. I kemi parë qartë”, thotë një banor vendas, Adday Hamid Abd.

Hauixha ra në duart e Shtetit Islamik në qershor të vitit 2014. Forcat irakiane të sigurisë arritën ta rimarrin qytetin më 10 tetor 2017.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG