Lidhje

10 vjet nga shpallja e suksesit në Irak


Refugjatë irakianë vazhdojnë të vijnë në Shtetet e Bashkuara, duke lënë pas bombardimet dhe lloje të tjera dhune, 10 vjet pasi Presidenti i atëhershëm George W. Bush shpalli përfundimin e suksesshëm të operacioneve të luftimit pas pushtimit të Irakut.

Pankarta me fjalët “Misioni u krye” në aeroplan-mbajtësen e marinës amerikane Abraham Lincoln kontribuoi në përcjelljen e mesazhit të suksesit tek amerikanët, më pak se dy muaj pas ndërhyrjes në Irak.

Por kjo ndjesi u zhduk menjëherë, ndërsa viktimat mes radhëve të amerikanëve dhe aleatëve u rritën në kryengritjen pas ndërhyrjes që e çoi Irakun në prag të një lufte civile:

“Nuk ishte sukses dhe amerikanët që jetonin dhe punonin në Irak, e dinë që nuk ishte sukses”.

Më 31 tetor 2010, Mohanad Kedage ishte një nga qindra besimtarët e krishterë të pranishëm në një meshë në Kishën “Zonja jonë e Shpëtimit”, kur terroristët hynë me forcë në Kishën Katolike.

58 vetë humbën jetën në këtë sulm, përfshirë disa nga anëtarët e familjes se Kedages. Ndjesia e sigurisë u zhduk për të.

“Humbëm tre nga të dashurit tanë në atë kishë. Në Irak nuk ka siguri. Po nuk bombarduan kishat, do bombardojnë makinat. Ka njerëz që përdorin breza me eksplozivë për të hedhur në erë veten dhe njerëz të pafajshëm”.

Kedage vendosi të largohej nga Iraku me familjen e tij, pas sulmit të kishës. Ai u vendos në Miçigan dhe që në atë kohë ka hasur vështirësi për të siguruar jetesën.

“Nuk ka punë. Edhe në Shtetet e Bashkuara, jetesa është e vështirë. Nuk është problemi vetëm tek siguria. Jeta në Irak është e vështirë por edhe këtu nuk është e lehtë”.

Mediha Tariq është koordinatore e programit për Qendrën për Shërbime Ekonomike dhe Sociale të Komunitetit Arab në Miçigan.

Pasiguria e vazhdueshme në Irak ka rritur në mënyrë dramatike numrin e refugjatëve në Miçiganin juglindor, ku ndodhet komuniteti më i madh madh arabo-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Tariq thotë se përveç lëndimeve fizike dhe sëmundjeve, gjysma e të gjithë refugjatëve irakianë vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik dhe të paktën një e katërta vuan nga depresioni i thellë.

“Nuk di se për çfarë e kishte fjalën kur tha se misioni kishte përfunduar me sukses sepse për ne mendoj se hapi probleme të tjera. Ne jemi të kënaqur që presim fqinjë të rinj, por ata vijnë me probleme dhe ka shumë gjëra për të cilat duhet të kujdesemi”.

Mohanad Kedage ende po punon për të marrë veten ndërsa përpiqet të sigurojë jetesën në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk do të kthehem kurrë më në Irak. Kjo është shtëpia ime e dytë. E para ishte Iraku. Amerika është e dyta.”

Një shtëpi e dytë ku përparësia e tij kryesore është një e ardhme më e mirë për fëmijët e tij.

XS
SM
MD
LG