Lidhje

Ish-drejtorë të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, kritikë për përgjigjen ndaj pandemisë


Zyrat qendrore të CDC-së në Atlanta, të shtetit Georgia

Pesë ish-drejtues të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë ngritur pyetjen se çfarë po bën ky institucion për pandeminë e koronavirusit që ka shkaktuar deri tani mbi 170 mijë të vdekur në Shtetet e Bashkuara. Ish-drejtorët thonë se përgjigja e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe se ky institucion është nxjerrë në plan të dytë në luftën kundër pandemisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson njofton.

Ekspertë të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve ndjekin ritmet e pandemive në të gjithë botën. Ata kanë qenë aktivë në luftën kundër Ebolës, kanë ndjekur përhapjen e gripit gjatë periudhave aktive, si dhe kanë bashkërenduar veprimet me OBSH-në për të zhdukur poliomelitin dhe sëmundje të tjera.

Dr. David Satcher, ish-drejtor i këtij institucioni, thotë se Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve ka luajtur rol udhëheqës për ekspertë të shëndetësisë në të gjithë botën.

"Më kujtohet se kurdo që kishte një epidemi të rrezikshme në botë, na telefononin në Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve para se t’i telefononin Organizatës Botërore të Shëndetësisë, megjithëse këto institucione bashkëpunonin shumë mirë mes tyre,” thotë Dr. Satcher.

Kritikët thonë se Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve ka dështuar në betejën me koronavirusin dhe se testet e para që nxori kjo qendër nuk ishin funksionale. Megjithatë, pesë ish-drejtuesit e institucionit e mbrojnë këtë agjenci federale duke thënë se fillimi i një pandemie ka shumë të panjohura.

Dr. Julie Gerberding është aktualisht nënpresidente e gjigandit farmaceutik, Merck.

"Sa mirë do të ishte sikur ta kthenim kohën prapa sepse tani dimë shumë gjëra për koronavirusin. E dimë që është shumë ngjitës dhe se pjesa më e madhe e njerëzve mund të infektohen,” thotë Dr. Gerberding.

Dr. Tom Frieden është ish-drejtor i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve.

"Sa më shumë mësojmë, aq më shumë dimë se si ta vëmë nën kontroll pandeminë,” thotë ish-drejtori Tom Frieden.

Dr. Frieden kryeson një nismë globale të shëndetësisë të quajtur “Të Vendosur për të Shpëtuar Jetë“. Të pesë ish-drejtorët thonë se në këto momente duhen lënë mënjanë manovrat politike dhe të punohet për të ndalur krizën.

"Dikush duhet të ngrejë zërin për veprimet e nevojshme që kërkojnë bashkëpunim. Nuk ka gjë tjetër që e zëvendëson këtë rol udhëheqës dhe duhet bërë nga presidenti,” thotë Dr. Satcher.

Presidenti Trump kërkon rihapjen e shkollave dhe bizneseve, megjithëse pandemia nuk është vënë nën kontroll:

"Nëse politikanët thonë se Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve është bërë pengesë për të rihapur shkollat, në vend që të hartohet një plan për rihapjen e shkollave pa rritur rrezikun, dëmtohet i gjithë sistemi,” thotë Dr. Richard Besser me Fondacionin “Robert Wood Johnson”.

Që kur u shfaq koronavirusi në SHBA, informacioni përhapet nga Shtëpia e Bardhë. Ish-drejtorët thonë se ky informacion është nganjëherë i gabuar, i rrezikshëm ose çorientues.

"Kam parë që dizinfektuesit e mbysin mikrobin për një minutë. A ka ndonjë mënyrë për ta injektuar, ta përdorim tek personi thuajse si pastrues?” u shpreh Presidenti Trump gjatë një konference për shtyp në prill.

Më pas presidenti tha se ishte shprehur me sarkazëm.

"Duhet t’u japim amerikanëve përsëri të vërtetën; ta përdorim të vërtetën të mbështetur me prova shkencore për të luftuar pandeminë,” thotë Dr. Jeffrey Koplan me Institutin e Shëndetësisë Globale, Universiteti Emory

Dr. Jeffrey Koplan thotë se të gjithë duhet të bashkëpunojnë për të luftuar pandeminë.

"Nëse të gjithë veprojmë drejt të njëjtit synim, do të arrinim përparim të konsiderueshëm shumë shpejt,” thotë Dr. Koplan.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha për Zërin e Amerikës se administrata dhe Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve kanë bashkëpunuar që në fillim të epidemisë dhe se përparësia më e lartë e Presidentit Trump është shëndeti dhe mirëqënia e amerikanëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG