Lidhje

Ish të dënuarit që i kanë shpëtuar ekzekutimit kërkojnë heqjen e dënimit me vdekje


Ish të dënuarit që i kanë shpëtuar ekzekutimit kërkojnë heqjen e dënimit me vdekje
Ish të dënuarit që i kanë shpëtuar ekzekutimit kërkojnë heqjen e dënimit me vdekje

Një anketë e re e organizatës Gallup tregon se mbështetja për dënimin me vdekje në Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë e lartë, por është ulur në 61 përqind nga 80 përqind që ishte në vitin 1994. Një nga arsyet, është se drejt karrikes së ekzekutimit mund të çohen njerëz të pafajshëm. Ka patur raste që të dënuar me vdekje janë liruar, kur provat e reja i kanë nxjerrë ata të pafajshëm. Disa ish të dënuar që i kanë shpëtuar ekzekutimit po i tregojnë tani publikut historitë e tyre:

Ron Keine ishte dënuar me vdekje për kryerjen e një vrasje në shtetin jugpërëndimor të Nju Meksikos. Por vetëm disa ditë përpara ekzekutimit të tij, personi që kishte kryer krimin i ishte rrëfyer një prifti.

“Natyrisht, prifti i ka thënë, ‘unë nuk mund të të shfajësoj, duhet të dorëzohesh dhe ta bësh atë që është e drejtë.’ Ai kishte rënë dakord. Në atë kohë unë isha planifikuar të ekzekutohesha pas 9 ditësh.”

Pasi doli e vërteta, Keine u lirua dhe iu bashkua përpjekjeve për heqjen e dënimit me vdekje.

Shteti i Nju Meksikos tani e ka hequr dënimin me vdekje. Por Keine thotë se shumica e personave që ai ka takuar në qelitë e të dënuarëve me vdekje, duhet të qëndrojnë në burg.

“Këta njerëz janë vrasës të rrezikshëm dhe ata nuk duhet të lirohen. Nuk dua që ata të dalin nga burgu, por unë nuk besoj në vrasjen e njerëzve. Besoj që ata duhet të qëndrojnë në burg gjatë gjithë jetës pa patur të drejtë të lirorhen me kusht”.

Studimet tregojnë se një në tetë persona të dënuar mund të jenë të pafajshëm. Avokatët që përfaqësojnë të dënuarit me vdekje shpesh nxjerrin në pah dëshmi nga abuzimet e kryera nga prokuroria në gjykimet fillestare.

Clarence Brandley ishte i dënuar me vdekje në Teksas derisa fitoi pafajësinë pas apelimit.

“Ka prova dhe dëshmi që tregojnë se shteti i Teksasit ka ekzekutuar njerëz të pafajshëm”.

Zoti Brandley thotë se shumë zezakë të varfër janë dërguar në qelitë e të dënuarëve me vdekje afër Livingston-it në Teksas, sepse ata nuk kishin para për të paguar avokatët mbrojtës.

Imigranti iranian Hooma Hedayati ka organizuar këtë turne në qytetet e Teksasit me ish të dënuarit me vdekje të cilët më vonë janë liruar në mungesë të fakteve. Ai është me grupin e ashtuquajtur “Witness to Innocence”.

“Disa studime kanë treguar se pafajësia është një nga faktorët më të rëndësishëm që përcakton vendimet e njerëzve për të mbështetur ose jo dënimin me vdekje. Ne po i japim një fytyrë pafajësie kësaj çështjeje, ku mund të shihen përvojat e njerëzve të cilët gabimisht janë dënuar”.

Një argument tjetër kundër ekzekutimit, është mungesa e efektshmërisë së dënimit me vdekje, thotë Dorothy McClellan, e cila jep mësim në Universitetin A & M të Texasit.

“Dënimi me vdekje nuk e arrin qëllimin e tij. Ai kërkon hakmarrje, por nuk është i efektshëm, dhe nuk e përmbush rolin e parandaluesit të vrasjeve”.

Por shumë amerikanë besojnë se dënimi me vdekje i shkurajon njerëzit nga kryerja e vrasjeve, dhe të paktën është një garanci se ata nuk do të mund të vrasin përsëri.

Kundërshtarët e dënimit me vdekje po përpiqen t’i kundërvihen këtij nocioni duke thënë se, në disa raste, personi që ekzekutohet nuk është ai që ka kryer krimin.

XS
SM
MD
LG