Lidhje

Sulm vdekjeprurës në një klub nate në Stamboll


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha të dielën se personi i armatosur që sulmoi klubin e natës në Stamboll duke vrarë 39 persona, synonte kaosin në vend, po ai dështoi.

"Ata po provojnë të shkaktojnë kaos, të dëshpërojnë njerëzit tanë dhe te destabilizojnë vendin tonë me sulme të neveritshme mbi civilët", tha ai. "Në do të qëndrojmë më kokë të ftohtë si komb, duke qëndruar më të bashkuar dhe nuk do të krijojmë hapësirë për lojëra të tilla të pista", nënvizoi ai.

Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu dhe Vasip Sahin, kryetar i Stambollit thanë se sulmi në klub është kryer nga një person i armatosur.

Soylu tha ae autoritetet janë vënë në kërkim të personit të armatosur që hapi zjarr në klubin përplot kremtues të Vitit të Ri.

Në mesin e viktimave të identifikuara deri tash, 16 janë të huaj, ndërsa pesë janë turq, tha Soylu, duke shtuar se në mesin e të vrarëve është edhe një polic.

Soylu tha se 69 veta janë duke u trajtuar nëpër spitale, katër nga të cilët në gjendje të rëndë.

Askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Kryetari i qytetit, Sahin, e cilësoi incidentin si sulm terrorist. Ai tha se sulmuesi kishte përdorur një armë të rëndë për të qëlluar brutalisht dhe pamëshirshëm mbi kremtuesit.

Policia turke po mban të rrethuar zonën përreth klubit Reina në lagjen Ortakoy, një zonë në ngushticën e Bosfrorit e njohur për praninë e personave të famshëm dhe të huajve.

Dëshmitarët thanë se mbi 600 persona ishin brenda klubit gjatë sulmit dhe disa na kremtuesit u hodhën në ujërat e Bosforit për të shpëtuar nga të shtënat. Mediet lokale thanë se një polic dhe një civil u qëlluan jashtë klubit para se sulmuesi të hynte brenda.

Aziz Ozcan, vëllai i të cilit, Sulejmani punonte në barin e klubit të natës, i tha Zërit të Amerikës në gjuhën turke se ai punonte diku tjetër në kohën kur dëgjoi për sulmin.

"Babai dhe nëna ime janë të vjetër, ata nuk mund të vinin këtu prandaj erdha unë. Por, nuk di çfarë të bëj. Nuk kemi marrë asnjë informacion...Nuk e di nëse është gjallë apo jo... Po presim", i tha Ozcan shërbimit turk të Zërit të Amerikës.

Presidenti amerikan, Barack Obama, shprehu ngushëllime për sulmin dhe udhëzoi ekipin e tij që t'u ofrojë ndihmë autoriteteve turke.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Eric Sshultz tha se "presidenti është informuar nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare për sulmin në Stamboll".

Ai tha se presidenti Obama, i cili ndodhet për pushime në Hawaii, krahas ngushëllimeve për jetët e pafajshme, ka udhëzuar ekipin e tij që të ofrojë ndihmën e përshtatshme për autoritetet turke. Presidenti Obama ka ritheksuar mbështetjen amerikane për Turqinë, aleaten e NATO-s.

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit, zëvendësi i zëdhënësit, Mark Toner tha se "sulmet e tilla vetëm sa forcojnë vendosmërinë tonë për të punuar me qeverinë turke për të luftuar të keqen e terrorizimit".

Masat e sigurisë ishin shtuar në qytetet më të mëdha turke pas sulmeve terroriste të muajve të kaluar.

Dy shpërthime në afërsi të një stadiumi të futbollit në Stamboll më herët gjatë dhjetorit, lanë pas vetes 28 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur.

Një grup militant kurd kishte marrë mbi vete përgjegjësinë.

Në qershor, një sulm që u mor përsipër nga grupi militant Shteti Islamik, la pas vetes 40 të vrarë në aeroportin Ataturk në Stamboll.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG