Lidhje

Shpresa të reja për Interin e Milanos


Një marrëveshje me investitorë kinezë premton siguri financiare për ekipin, në kushtet e krizës evropiane

Një grup investitorësh kinezë mund të shndërrohen së shpejti në aksionerët e dytë më të mëdhenj të një klubi italian futbolli, ekipit Internazionale të Milanos, apo siç njihet ndryshe - Interi. Në këtë atmosferë problemesh ekonomike në Evropë, tifozët janë të entuziazmuar nga kjo marrëveshje që do të sjellë siguri më të madhe financiare dhe ndërtimin e një stadiumi të ri, që do të ngrihet nga një gjigand kinez në sektorin e ndërtimit.

Interi i Milanos, një ndër ekipet më të famshme italiane luan në kategorinë e parë – Seria A, që nga themelimi i tij në 1908. Massimo Moratti, presidenti i ekipit dhe aksioneri kryesor njoftoi kohët e fundit një marrëveshje prej 87 milionë dollarësh me një grup investitorësh kinezë për 15 % të aksioneve të ekipit.

Komentatori sportiv Gian Luca Rossi thotë se biznesi kryesor i zotit Moratti në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës u godit rëndë nga trazirat politike në Libi. Këto humbje, si dhe thellimi i krizës ekonomike në Evropë e kanë bërë të vështirë që ai të financojë ekipin prestigjoz, por jo aq fitim-prurës të futbollit.

“Ajo që është interesante është se tifozët këtu vazhdojnë të besojnë se një vend i varfër mund të ketë futboll të suksesshëm”.

Komentatori Rossi thotë se zoti Moratti ka dy vjet që kërkon investitorë në Azi:

“Nga ajo që kuptova kur fola me zotin Moratti kohët e fundit, është se ideja që nuk do t’i përballonte i vetëm çeqet prej 20-30-50 milionësh, ishte diçka që e lehtësonte dhe e bënte zotin Moratti më optimist për të ardhmen”.

Në kuadër të marrëveshjes, një stadium i ri në Milano do të zëvendësojë stadiumin San Siro, i cili përdoret edhe nga rivali i Interit, AC Milan. Stadiumi do të ndërtohet nga kompania shtetërore kineze China Railway Construction Corporation, e cila merr përsipër projektin e saj të parë në Evropë:

“Stadiumi aktualisht u kushton dy ekipeve rreth 20 milionë dollarë në vit, pra secili ekip duhet të paguajë një qera prej 10 milionë dollarësh në vit. Këto fonde duhet të investohen për nevoja të tjera, për një klub që ka nevojë të blejë lojtarë të mirë në mënyrë që të mbetet konkurent i fortë”.

Kur tifozët u mblodhën për ndeshjen e parë të kampionatit italian, pjesa më e madhe ishin të gëzuar nga marrëveshja e re. Giacomo della Vecchia është president i klubit të tifozëve Interclub në një qytet pranë Milanos.

“Pa diskutim është një marrëveshje e goditur. Në ditët tona nuk ka më manjatë që të jenë në gjendje të sponsorizojnë plotësisht një ekip duke përballuar vetë të gjitha shpenzimet. Marrëveshjet janë një zgjidhje e nevojshme e kohës modern”.

Edhe studenti 18-vjeçar Manuel e lavdëron zgjidhjen e zotit Moratti:

“Ekonomia evropiane është në krizë, por ekonomia e vendeve të Lindjes është shumë më e qëndrueshme. Kjo marrëveshje do ta ndihmojë ekipin dhe do të gëzojë tifozët”.


Interi i Milanos u themelua në vitin 1908, pas konflikteve të brendshme të ekipit AC Milan për të lejuar apo jo lojtarë të huaj në ekip. Gian Luca Rossi thotë se marrëveshja e re i përshtatet historikut të ekipit:

“Ata reaguan me forcë – ‘Përse nuk mund të përfshijmë lojtarë të huaj në ekip? Nëse nuk na lejoni, do të krijojmë ekipin tonë’ Nga kjo lindi edhe emri i ekipit – Internacional. Pra ideja për të qenë të hapur ka qenë gjithmonë e pranishme në këtë ekip”.

Stadiumi i ri pritet të ndërtohet në vitin 2017.
XS
SM
MD
LG