Lidhje

6 emigrantë mbyten në brigjet e Italisë


6 emigrantë nuk arritën të mbijetonin kur anija e tyre hasi dje në një masë dheu në bregdetin jugor të Italisë. Më shumë se 90 të tjerë, që ndodheshin në anije, shpëtuan, duke notuar drejt plazhit afër qytetit Catania të Sicilisë ose nga anijet e autoriteteve italiane.

Autoritetet thanë se emigrantët u mbytën pasi anija e tyre ngeci në cekëtinë dhe ata u përpoqën pa sukses të dilnin në brigjet e plazhit Catania, i cli tërheq shumë pushues. 90 emigrantë të tjerë shpëtuan pasi arritën të notonin gjatë një distance 15 metërshe ose u shpëtuan nga roja bregdetare, pasi vendosën të qëndronin në anijen e tyre të ngecur.

“Pashë një grup djemsh që ecnin nëpër plazh dhe telefonova policinë”, tha Dario Monteforte, pronar i vendpushimit ‘Lido Verde’ në rrethinat e Catanias, qyteti më i madh i Sicilisë lindore.

Pushuesit dhe banorët e qytetit, që dolën në plazh në agim, u shtangën kur panë trupat e të vdekurve, të mbuluar me plasmas, përgjatë rërës në bregdet.
Rallë herë kontrabanduesit, që mbushin anijet me emigrantë të paligjshëm, i drejtojnë ato drejt brigjeve të qyteteve.

Kapiteni i Rojes Bregdetare, Roberto D'Arrigo tha se me sa duket anija bëri një gabim në lundrim ndërsa përpiqej të arrinte në brigje të veçuara pa u diktuar nga autoritetet.

“Kjo ishte një ngjarje krejtësisht e pazakontë. Koha dhe vendndodhja na bën të mendojmë se ata ndoshta kishin humbur drejtimin, ndërsa zakonisht emigrantët përpiqen të arrijnë bregdetin më të afër sapo e shikojnë atë. Prandaj ne jemi shumë të bindur se kemi të bëjmë em një gabim të kapitenit të anijes”, tha ai.

Autoritetet po përpiqen të identifikojnë të mbijetuarit. Media italiane njoftoi se mes tyre ka egjiptianë dhe sirianë.

Çdo vit, mijëra njerëz, shumë prej tyre nga Afrika nën Sahariane, me shpresë për të gjetur punë më të mira ose të afërmit e tyre Evrope, përpiqen të kalojnë Mesdheun e rrekishëm me anijet e kontrabandistëve.

Dhe nëse ata nuk janë në gjendje të provojnë se kanë gjetur punë ose familjen që i pret ata në Evrope ose nuk kualifikohen për azil politik, atyre u jepet urdhër të kthehen në vendet e tyre.
XS
SM
MD
LG