Lidhje

Itali, trafik droge dhe armësh nga Shqipëria, 20 arrestime


Roja bregdetare italiane dhe Policia e Barit arrestuan mëngjesin e së enjtes 20 persona mes të cilëve disa shqiptarë.

Ata akuzohen për trafik të sasive të mëdha të marijuanës nga Shqipëria dhe trafik armësh.

Sipas burimeve zyrtare hetimet janë kryer nga dhjetori 2015 deri në shkurt 2017. Gjatë kësaj periudhe organizatës, që dyshohet se drejtohej nga një shtetas shqiptar, i janë sekuestruar 5,3 tonë marijuanë, 10 pistoleta dhe dy armë automatike.

Roja bregdetare italiane ka sekuestruar gjithashtu edhe 8 gomone super të shpejta, rreth 1 milionë euro dhe 6 pasuri të paluajtshme që u përkisnin anëtarëve të dyshuar të organizatës.

Sipas Rojës Bregdetare Italiane grupi kriminal vepronte në Bari dhe Brindizi. Pak ditë më parë roja bregdetare italiane “Guardia di Finanza” tha se bllokoi në brigjet e Brindizit një ngarkese prej 310 kilogramësh marijuanë dhe 24 kilogramë hashash që vinte nga Shqipëria.

Droga u gjet në bordin e një gomoneje rreth 5 metra e gjatë dhe super e shpejtë. Policia italiane tha se drejtuesi i gomones nga Shqipëria u arrestua.

Sipas vlerësimeve policore Shqipëria është furnizuesi kryesor i tregut italian me kanabisin bimor që kultivohet në zona të ndryshme të vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG