Lidhje

Italia do t’i bashkohet nismës kineze të investimeve


Italia pritet t’i bashkohet nismës kineze “Një Brez, Një Rrugë” të enjten gjatë vizitës së Presidentit kinez Xi Jinping në Romë.

Shtetet e Bashkuara janë kritike ndaj këtij projekti prej miliarda dollarësh dhe kanë paralajmëruar për rrezikun e asaj që njihet si "diplomacia e kurthit të borxhit". Vendet e Bashkimit Evropian janë të shqetësuara se plani mund të shtojë të çarat brenda një koalicioni tashmë të tendosur.

Sipas analistëve, gjatë vizitës së Presidentit Xi, Italia pritet të nënshkruajë me Kinën një memorandum mirëkuptimi jo të detyrueshëm. Kjo marrëveshje do të hapë rrugën për projekte ndërtimi dhe financimi nga Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë me qendër në Pekin.

"Memorandumi perceptohet më shumë si një mënyrë për të siguruar më tepër eksporte në Kinë dhe më shumë shanse për të marrë financime nga Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë", thotë Alessia Amighini, bashkëkryetare e Qendrës për Azinë në ISPI, një grup kërkimor me bazë në Romë.

Roma shpreson të pakësojë defiçitin tregtar me Kinën dhe të shmangë disa shpenzime të mëdha duke tërhequr investime kineze si dhe Bankën Aziatike të Investimeve në projekte të mëdha infrastrukturore. Marrëveshja gjithashtu do t'u japë kompanive kineze më shumë qasje në portin e ngarkuar të Triestes dhe për rrjedhojë në rajonin e Mesdheut.

Sipas njoftimeve që vijnë nga Italia, Roma po shqyrton mundësinë që të ftojë kompanitë kineze për të zgjeruar ose menaxhuar tre porte të tjera italiane, atë të Xhenovës, Palermos dhe Ravenës.

"Italia është e etur për të tërhequr investime, për të përmirësuar pozicionin e saj konkurues në raport me korridoret dhe portet e Evropës veriore", thotë zonja Amighini.

Sipas analistëve, është e qartë se Kina po shfrytëzon konkurrencën brenda Eurozonës dhe po përpiqet të largojë një vend anëtar të rëndësishëm duke ofruar një sërë kushtesh tërheqëse.

Nënshkrimi i Memorandumit të mirëkuptimit do të përbënte një arritje të madhe politike për Kinën në një kohë kur janë rritur shqetësimet dhe kritikat lidhur me planin infrastrukturor. Italia është vend themelues i Bashkimit Evropian dhe mund ta ndihmojë Pekinin që t’i hapen dyert në Eurozonë.

Deri më tani, projektet më të mëdha të infrastrukturën rrugore kanë qenë të lidhura me vende me vështirësi të mëdha financiare, si Sri Lanka, Pakistani, ishujt Maldive dhe Greqia.

Me vendimin e Italisë për t'iu bashkuar këtij plani, Kina do të punojë me një vend ku ekziston më pak frika e rrëshqitjes në një kurth borxhi.

Por vendimi mund të sfidojë strategjinë e lidhjes infrastrukturore të Evropës, një plan që u publikua në shtatorin e 2018-s dhe synon të përmirësojë lidhjet brenda Evropës dhe Azisë duke i bërë jehonë standardeve të qëndrueshmërisë dhe praktikave të bazuara në rregulla.

Analistët po presin të kuptojnë nëse Presidenti Xi do të ofrojë një variant të modifikuar të projektit në Itali, me qëllimin për të përmbushur standardet evropiane, por miratimi i këtyre standardeve do ta zhvishte Kinën nga aftësia për të ulur shpenzimet dhe zvogëluar avantazhin e saj konkurrues.

"Nuk pres që Kina të tregojë më shumë fleksibilitet. Në çdo rast, nuk i shoh kushtet e financimit si një çështje reale në Evropë", thotë zonja Amighini.

Përçarja e Evropës

Menaxherja e programit të zyrën e Këshillit Evropian për Punët e Jashtme në Romë Teresa Coratella, thotë se ky hap i autoriteteve italiane ka potencialin të krijojë përçarje brenda Bashkimit Evropian në një kohë kur blloku po punon rreth një qasjeje të përbashkët ndaj investimeve kineze.

Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Franca kanë shprehur pakënaqësi lidhur me këtë lëvizje të Romës, ndërsa zyrtarët gjermanë thuhet se kanë lobuar kundër nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit. Italia është i vetmi anëtar i Grupit të Shtatë Vendeve më të Industrializuara të botës që po i bashkohet nismës kineze “Një Brez, Një Rrugë.”

"Italia është një ekonomi e madhe botërore dhe një destinacion i madh investimi. Nuk është e nevojshme që qeveria italiane t’i japë legjitimitet projektit të pavlerë kinez mbi infrastrukturën", shkruante në twitter Garrett Marquis, zëdhënës i grupit të këshilltarëve për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur pakënaqësi rreth vendimit të Romës dhe ka bërë thirrje për një "qasje të bashkërenduar" të të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian kundrejt planeve kineze.

Drejtuesi i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Bucknell të Pensilvanisë, Zhiqun Zhu thotë se Shtetet e Bashkuara po e ekzagjerojnë idenë e një kërcënimi kinez në të gjitha çështjet, duke përfshirë planin infrastrukturor.

"Italia dhe vendet e tjera duhet të marrin vendimet e tyre, në vend që të jenë të detyruara të zgjedhin mes SHBA-së dhe Kinës", thotë zoti Zhu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG