Lidhje

Emailet private: Kritikët nxjerrin paralelizma mes Ivanka Trumpit dhe Hillary Clintonit


Vajza e Presidentit Donald Trump, Ivanka Trump, e cila është një nga këshilltarët kryesorë të presidentit, ka dërguar qindra mesazhe nga Shtëpia e Bardhë gjatë vitit të kaluar duke përdorur llogarinë e saj private të emailit. Ky veprim përbën shkelje të rregulloreve për dokumentet federale, argumenton një organizatë liberale që mbikqyr veprimet e qeverisë federale.

Organizata “American Oversight” thotë se gjatë pjesës më të madhe të vitit 2017 Ivanka shpesh ka diskutuar ose transmetuar mesazhe lidhur me punë zyrtare përmes emailit të saj personal, të cilin e përdorin me bashkëshortin, Jared Kushner, një tjetër këshilltar i afërt i presidentit.

Fakti që Ivanka Trump ka përdorur emailin privat për punë zyrtare sjell në kujtesë probleme të ngjashme me kandidaten demokrate për presidente në zgjedhjet e 2016, zonjën Hillary Clinton e cila kishte përdorur një server privat emaili gjatë kohës kur ishte sekretare shteti. Pas hetimeve, autoritetet arritën në përfundimin se zonja Clinton nuk kishte kryer akte penale, por analistët thonë se hetimi nga FBI-ja dhe fakti që ajo kishte dërguar me emailin personal dokumente sekrete ishin ndër faktorët që sollën humbjen e saj në zgjedhje.

Ligji i Dokumentacionit Presidencial kërkon që të gjitha shkëmbimet, dokumentet, mesazhet e presidentit dhe personelit të Shtëpisë së Bardhë të ruhen si dokumente zyrtare. Disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë reaguar me habi ndaj komenteve të Ivanka Trumpit se kishte përdorur emailin privat pasi nuk ishte në dieni të rregullave qeveritare që e ndalonin këtë.

Emailet e saj janë analizuar nga avokati i saj personal, Abbe Lowell, për të përcaktuar se cilat prej tyre duhen përfshirë në arkivat e Shtëpisë së Bardhë.

Një zëdhënës i avokatit pohoi se Ivanka Trump kishte përdorur llogarinë private të emailit ndërkohë që punonte në Shtëpinë e Bardhë, por nënvizoi dallime mes përdorimit të emailit privat nga zonja Clinton dhe nga Ivanka Trump.

“Gjatë periudhës tranzitore, kur ishte krijuar llogaria e saj zyrtare e emailit, por ende pa marrë udhëzime nga Shtëpia e Bardhë, ashtu siç kishin marrë të tjerët, zonja Ivanka Trump përdori nganjëherë llogarinë personale të emailit, thuajse gjithmonë për lehtësi përdorimi, apo për arsye familjare,” shpjegon zëdhënësi.

Por ai shtoi: “Zonja Trump nuk krijoi një server privat emaili në shtëpi apo në zyrë, nuk përfshiu asnjë informacion sekret në shkëmbimet e saj, llogaria nuk u transferua kurrë në Organizatën Trump dhe nuk ka fshirë asnjë email”.

Austin Evers, drejtor ekzekutiv i organizatës “American Oversight” tha se është e vështirë të pranohet shpjegimi se Ivanka Trump nuk ishte në dieni të rregullave qeveritare për të mos përdorur email privat gjatë punëve zyrtare.

“Pa diskutim që është hipokrizi që i ati i mëshoi gjatë fushatës mesazhit të përdorimit të emailit personal nga zonja Clinton,” tha zoti Evers. “Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm se Ivanka nuk e dinte. Pa diskutim, të gjithë punonjësit e administratës Trump duhet të jenë më se të vetëdijshëm se sa problem përbën përdorimi i emailit privat”.

Ndërkaq, Presidenti Trump ka vazhduar shumë kohë pas fitores në zgjedhje që gjatë tubimeve të vërë në lojë ish-rivalen e tij si “Hillary Hileqarja” lidhur me përdorimin e emaileve private të dy vjetëve më parë, komente që pasohen nga përkrahësit e presidentit me brohoritjet “Hillary duhet burgosur”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG