Lidhje

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruajnë marrëveshjet e para


Modelja izraelite May Tager, mban flamurin izraelit, ndërsa pozon me modelen nga Dubai, Anastasia, me një flamur të Emirateve (Dubai, 8 shtator 2020).

JERUSALEM - Një delegacion i nivelit të lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe mbërriti në Izrael për vizitën e parë zyrtare që kur të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje paqeje muajin e kaluar. Ata nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe, ndër të cilat edhe një marrëveshje për heqjen e vizave.

Me kënaqësi të dukshme, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, mirëpriti delegacionin e Emirateve, duke thënë se "sot po bëjmë histori".

"Entuziazmi për këtë marrëveshje paqeje mes popujve tanë është i jashtëzakonshëm. Është i vërtetë, është i gjerë, është i thellë dhe reflekton potencialin që u arrit sot", tha zoti Netanyahu.

Njëra prej marrëveshjeve thotë se izraelitët nuk do të kenë më nevojë për vizë për të vizituar Emiratet, ndërsa shtetasit e Emirateve të Bashkuara Arabe mund të vizitojnë gjithashtu lirisht Izraelin. Ndërsa pritet që fluturimet e drejtpërdrejta të rifillojnë deri në janar, industria izraelite e turizmit, e cila është dëmtuar më shumë nga COVID-19, shpreson që 250 mijë njerëz nga Emiratet ta vizitojnë brenda një viti. Disa kompani turistike izraelite po reklamojnë që tani udhëtime drejt Abu Dhabit dhe Dubait.

Dy vendet inauguruan gjithashtu një fond trepalësh prej 3 miliardë dollarësh mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara, për të inkurajuar investimet.

Për zotin Netanyahu, vizita e shkurtër e delegacionit të Emirateve të Bashkuara Arabe ishte një pauzë e mirëpritur larg telasheve të tij elektorale. Popullariteti i tij ka rënë mes kritikave për menaxhimin e pandemisë dhe gjyqit ndaj tij me disa akuza korrupsioni, i cili pritet të fillojë në janar.

Presidenti Trump gjithashtu shpreson që marrëveshja, e cila u nënshkrua muajin e kaluar në Uashington, do ta ndihmojë gjatë fushatës elektorale. Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se marrëveshjet mund të transformojnë Lindjen e Mesme.

"Marrëveshjet e Abrahamit vendosën lidhje të drejtpërdrejta ekonomike mes dy ekonomive më të begata dhe më të avancuara të Lindjes së Mesme", tha zoti Mnuchin. "Këto lidhje krijojnë një themel të jashtëzakonshëm për rritje ekonomike, mundësi, novacion dhe begati".

Për Emiratet, Izraeli ofron inovacionet e teknologjisë së lartë dhe mundësitë e biznesit. Ministri i Shtetit për Çështjet Financiare të Emirateve të Bashkuara Arabe, Obaid Huamid Al Tayer tha se të dyja vendet ofrojnë mundësi. "Emiratet do të vazhdojnë të jenë një udhëheqës rajonal për sa i përket reformave ekonomike, hapjes në tregtinë ndërkombëtare, stabilitetin politik dhe krijimin e paqes", tha zoti Al Tayer. "Bashkëpunimi ekonomik në financa dhe investime do të realizohet pas nënshkrimit të sotshëm të marrëveshjes për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve".

Për shkak të COVID-19, delegacioni qëndroi brenda zonës së aeroportit. Kryeministri izraelit Netanyahu i ftoi të rikthehen për një udhëtim turistik, kur të ketë kaluar pandemia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG