Lidhje

Reagime pas ndalimit të hyrjes në Izrael të dy ligjvënëseve amerikane


Izraeli ndaloi të enjten dy ligjvënëse amerikanë të hynin në vend, duke i dhënë shkas një raundi të ri polemikash në debatin mbi mbështetjen e SHBA për aleatin e tyre në Lindjen e Mesme.

Anëtaret demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib janë kritike të zëshme të Izraelit dhe të trajtimit prej tij të palestinezëve. Ato kishin në plan të vizitonin Izraelin dhe disa qytete në Bregun Perëndimor në ditët e ardhshme.

Zëvendës Ministrja e Jashtme e Izraelit Tzipi Hotovely i tha transmetuesit publik Kan: "Ne nuk do të lejojmë të hyjnë në Izrael ata që mohojnë të drejtën tonë për të ekzistuar në këtë botë. Në parim, ky është një vendim shumë i justifikuar."

Presidenti i SHBA Donald Trump komentoi në Twitter pak para njoftimit: "Izraeli do të tregonte dobësi të madhe nëse lejonte që ligjvënëset Omar dhe Tlaib të vizitonin vendin. Ato e urrejnë Izraelin dhe tërë popullin hebre, dhe nuk ka asgjë që mund të thuhet ose të bëhet për të ndryshuar mendjen e tyre. "

Kritikat e shpeshta të ligjvënëseve Omar dhe Tlaib ndaj Izraelit, prej muajsh janë bërë shkak për akuza për antisemitizëm ndaj tyre.

Omar dhe palestinezo-amerikania Tlaib janë përkrahëse të lëvizjes BDS (Bojkot, Tërheqje Investimesh dhe Sanksione), që i bën trysni ekonomike Izraelit për t'i dhënë fund pushtimit të Bregut Perëndimor. Disa përkrahës të lëvizjes mbështesin zgjidhjen me një shtet të vetëm, që kritikët thonë se do të çonte në shkatërrimin e shtetit hebre.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha që komentet e presidentit "janë një shenjë mosdije dhe mungesë respekti e nuk qëndrojnë në dinjitetin e zyrës së Presidentit". Zonja Pelosi ripohoi dashurinë e saj për Izraelin, por tha se masa për t’u mohuar hyrjen dy ligjvënëseve "është një shenjë dobësie dhe jo në dinjitetin e shtetit të madh të Izraelit".

Zonja Omar u kritikua nga udhëheqësit e Kongresit të partisë së saj për përdorimin e një metafore fyese për hebrenjtë dhe paratë në postimet e saj në mediat sociale në fillim të këtij viti.

Në një reagim të saj të enjten zonja Omar shkruante se ndalimi që iu bë nga qeveria izraelite për të hyrë në këtë vend e pengoi atë të përmbushë detyrat e saj si anëtare e Kongresit amerikan.

"Është detyra ime të mbikëqyr ndihmën e huaj të Shteteve të Bashkuara dhe të punoj për akte ligjore që lidhen me praktikat e të drejtave të njeriut në të gjithë botën", shkruante ajo në një deklaratë. "Ironia e “demokracisë së vetme” në Lindjen e Mesme lidhet me atë se një vendim i tillë është është një fyerje për vlerat demokratike, por edhe një përgjigje tronditëse ndaj një vizite të zyrtarëve qeveritarë të një kombi aleat".

Kryetari i komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve Eliot Engel pranoi diferencat që ka në opinione me dy ligjvënëset megjithatë ai e kritikoi vendimin e Izraelit.

"Qeveria izraelite ka gabuar që ka ndaluar hyrjen e anëtarëve të Kongresit në Izrael," thuhej në një deklaratë të enjten të zotit Engel. "Nëse qeveria e Izraelit shpreson të fitojë mbështetjen e ligjvënësve amerikanë të të gjithë spektrin politik, atëherë kjo vizitë mund të kishte qenë një mundësi për të shkëmbyer mendime dhe argumentuar se pse mbështetja amerikane për Izraelin është kaq e rëndësishme. Në vend të kësaj, me refuzimin e hyrjes së anëtarëve të Kongresit duket se Izraeli po e shkëput vetën prej kritikave e dialogut", shkruante zoti Engel.

Në një postim në Twitter, zyra e Kryeministrit të Izraelit e justifikoi vendimin, duke shkruar se ligjvënëset e kishin "shënuar destinacionin e udhëtimit të tyre si Palestinë dhe jo Izrael dhe ndryshe nga të gjithë anëtarët demokratë e republikanë të Kongresit që kanë vizituar Izraelin, ata nuk patën kërkuar të takoheshin me ndonjë zyrtar izraelit, qoftë nga qeveria apo nga opozita".

David Friedman, ambasadori amerikan në Izrael, tha që Shtetet e Bashkuara e respektojnë plotësisht vendimin e Izraelit. Ai hodhi poshtë kritikat se masa përbënte një shkelje ndaj fjalës së lirë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG