Lidhje

Hooper: Raporti i z. Williamson ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës


James Hooper
James Hooper

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish diplomati James Hooper, ekspert i çështjeve të Ballkanit, tha se raporti i Kryeprokurorit amerikan Clint Williamson ka të bëjë më tepër me të ardhmen e Kosovës se sa me të shkuarën e saj. Zoti Hooper, Drejtor menaxhues i Grupit për Ligjin dhe Politikën Ndërkombëtare, me qendër në Uashington, i tha kolegut tone Ilir Ikonomi se ky rast nuk e errëson imazhin e UÇK-së, por ka të bëjë me disa individë të veçantë, të cilët përdorën pozitën e tyre për të fituar pushtet politik pas luftës.

James Hooper: raporti i z. Williamson ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:53 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, çfarë ju ra më shumë në sy tek raporti i kryeprokurorit Clint Williamson?

James Hooper: Disa gjëra janë me shumë rëndësi lidhur me këtë raport. Së pari, megjithëse ky raport flet për të shkuarën e Kosovës në periudhën menjëherë pas luftës, ai në të vërtetë ka të bëjë me të ardhmen e saj, pra, nëse Kosova do të jetë një vend ku shteti i së drejtës merret seriozisht, është i fortë dhe gëzon respektin e popullit, apo, siç përmendet edhe në raport, një grup i vogël njerëzish i manipulojnë gjërat padrejtësisht për të përjetësuar pushtetin e tyre dhe për të patur avantazhe financiare.

Zëri i Amerikës: Pra, ky është mesazhi më i gjerë i këtij raporti?

James Hooper: Po. Diçka së cilës raporti i referohet me forcë janë problemet e tanishme, për shembull, problemet e frikësimit të dëshmitarëve, që janë krijuar nga njerëzit ndaj të cilëve me shumë gjasë do të ngrihet padi. Siç thotë edhe zoti Williamson, këta njerëz vazhdojnë të zbatojnë një program të frikësimit të dëshmitarëve, duke e penguar drejtësinë në Kosovë. Ka rëndësi që kjo të kuptohet. Më lejoni të flas pak se si lindi nevoja e këtij hetimi. Senatori zviceran Dick Marty, kërkoi se që të bëhej një hetim serioz. Ai nuk kishte besim te kolegët e tij prokurorë evropianë përsa i përket dëshmive, pasi kishte frikë se dëshmitë do të nxirreshin e do t’i jepeshin medias. Ai nguli këmbë që provat më sensitive t’i jepeshin vetëm një prokurori amerikan. Për mendimin tim, pikërisht për këtë arsye u caktua një prokuror amerikan dhe jo një evropian. Kjo në vetvete përbën diçka të pazakontë.

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, në Kosovë ka patur aludime se duke ndërmarrë një hetim të tillë, është përmbysur balanca me krimet e kryera nga serbët gjatë luftës. Natyrisht, një pjesë e atyre krimeve janë gjykuar nga Gjykata e Hagës, por a mendoni se kemi të bëjmë me një mungesë drejtpeshimi?

James Hooper: Së pari, në rastin e tanishëm kemi të bëjmë me periudhën e pasluftës, pra pasi lufta kishte mbaruar në mes të qershorit 1999. Gjykata e Hagës u përqendrua te krimet e kryera gjatë dhe para luftës. Pra kemi të bëjmë me dy periudha të ndryshme. Ambasadori Williamson, që është prokurori i posaçëm, është njeri me integritet të lartë. Ai e mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës, pra ai nuk po e vë në dyshim pavarësinë e saj. Ky rast ka të bëjë me disa individë të veçantë, të cilët përdorën pozitën e tyre për të marrë pushtet politik pas luftës dhe për të kërkuar përfitime politike nga ky pushtet. Pra, kjo çështje nuk ka të bëjë me aftësinë e Kosovës për të qenë shtet i pavarur, sepse kjo tashmë është vendosur. Ajo ka të bëjë me aftësinë e shtetit të ri për të qenë një vend ku respektohet sundimi i ligjit. Unë e lexova me shumë kujdes çdo fjalë të raportit dhe ai i referohet me shumë forcë çështjes së frikësimit të dëshmitarëve si diçka që vazhdon edhe sot. Kjo është e njohur gjerësisht mes kosovarëve dhe është diçka me të cilën ata duhet të përballen. Mendoj se elementët e mirë të shoqërisë kosovare janë të gatshëm të përballen me këtë problem. Ai ve në dukje, për shembull, se Presidentja Jahjaga e ka përkrahur me forcë hetimin e tij qysh në fillim. Dhe më bëri shumë përshtypje që prokurori e përmend këtë.

Zëri i Amerikës: Por, a mendoni se ky raport e errëson disi imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkë me të edhe imazhin e luftës që bëri populli i Kosovës?

James Hooper: Jo, nuk mendoj se e errëson imazhin e UÇK-së. Mendoj se imazhi i UÇK-së është ai i një force luftuese pararojë të popullit të Kosovës. Janë aq shumë njerëz që luftuan në radhët e saj, të cilët nuk kryen krime lufte, por luftuan me ndershmëri dhe janë krenarë për këtë. Ky raport, me sa kuptova pasi e lexova atë, ka të bëjë me vendimin e disa njerëzve për të përdorur pozitat që fituan gjatë luftës për të marrë pushtet politik dhe përfitime financiare pas lufte. Madje ai e thotë konkretisht se këtu nuk është në gjyq UÇK-ja. Dhe unë e besoj këtë. Unë mendoj se populli i Kosovës është e nevojshme të kuptojë se disa nga njerëzit ndaj të cilëve mund të ngrihen akuza nuk do ta pëlqejnë këtë. Disa nga ish udhëheqësit e UÇK-së mund të përpiqen për të ruajtur emrin e tyre bashkë me pushtetin që kanë duke bërë gjeste të ndryshme, për shembull duke e mbështjellë veten me flamur. Por nuk besoj se këto do të mbështeten nga populli i Kosovës. Fjala është për marredhëniet e Kosovës me Evropën dhe sidomos me Shtetet e Bashkuara. Qeveria amerikane do të ngulë këmbë që drejtësisë t’i shkohet deri në fund. Do të ishte me shumë rrezik për kosovarët nëse e keqkuptojnë rëndësinë që qeveria e SHBA i vë krijimit të gjykatës së posaçme edhe pse votimi në parlament mund të jetë i vështirë dhe të kërkojë sakrifica nga disa njerëz. Kjo duhet bërë nëse Kosova dëshiron të ruajë marredëniet e mira dhe të ngushta të besimit me SHBA. Nëse ata dështojnë, kjo do t’i dëmtonte rëndë marrëdhëniet.

XS
SM
MD
LG