Lidhje

Prokuroria: 48 vite burg për dy drejtues të Gardës


Procesi për ngjarjet e 21 janarit 2011. Komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe oficeri Agim Llupo akuzohen për vrasjen e tre manifestuesve. Prendi kundërshton akuzën

Në Shqipëri prokuroria kërkoi sot 48 vjet burg për dy drejtuesit e lartë të Gardës së republikës të cilët akuzohen prej saj si autorë të vrasjes së tre prej katër manifestuesve të opozitës të cilët u qëlluan më 21 janar të 2011 gjatë një proteste të dhunshme para selisë së qeverisë. Për komandnatin e Gardës Ndrea Prendi u kërkuan 23 vjet, ndërsa për drejtuesin e njësive speciale Agim Llupo 25 vjet burg. Prendi në shpjegimet e tij pas pretencës mohoi akuzat duke këmbëngulur se garda ka qëlluar në ajër

Gjykata e krimeve të rënda dëgjoi sot në procesin për ngjarjet e 21 janarit pretencën e prokurorisë, e cila bëri përgjegjës dy drejtues të Gardës së republikës për vrasjen e tre manifestuesve gjatë përleshjeve të dy viteve më parë përpara selisë së kryemninistrisë. Komandanti i gardës Ndrea Prendi u akuzua për vrasjen e drejtpërdrejtë të Faik Myrtajt e gjithashtu se është përpjekur të fshehë gjurmët ndërsa ka ndërruar tytën e pistoletës së tij me të cilin kishte qëlluar 11 herë. Prokuroria kërkoi për të 23 vite burg. Nga ana e tij zoti Prendi i kundërshtoi akuzat, duke deklaruar se është qëlluar në ajër dhe se janë respektuar rregullat, ndërsa sulmoi prokurorinë e cila sipas tij kishte ushtruar presion dhe nuk kishte hetuar për asnjë moment ata që sulmuan qeverinë e që vunë në rrezik jetën e kryeministrit tha ai.

Ndërkohë, 25 vite të tjera u kërkuan për drejtuesin e njësisë speciale të Gardës Agim Llupo, i cili sipas prokurorisë është autori i vrasjes se Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Sipas prokurorëve, Llupo ka qëlluar në mënyrë selektive me armën e tij. Prokuroria tërhoqi akuzat ndaj shoferit të Prendit, Margarit Kume, i akuzuar fillimisht të ketë bashkëpunuar me eprorin e tij për fshehjen e provave. Ka mbetur ende pa autor vrasja e Aleks Nikës.

Hetimet për ngjarjet e 21 janarit morën një kthesë vitin e shkuar pas ardhjes së ekspertizës së realizuar nga FBI amerikane, kur edhe doli urdhëri i arrestit për komandantin e Gardës. Në atë kohë u arrestua edhe përgjegjësi i teknologjisë në kryeministri, i cili u shpall më pas i pafajshëm nga akuzat për fshirjen e pamjeve filmike nga serverat e qeverisë. Edhe hetimet ndaj tre deputetëve socialist, të dyshuar për nxitje të akteve të dhunshme, u pezulluan nëntorin e kaluar, pasi përfituan nga aministia me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Procesi ndaj 21 janarit konsiderohet si një provë e fortë për drejtësinë shqiptare. Ngjarjet e dy viteve më parë trazuan jetën politike në vend. Opozita ka bërë përgjegjës direkt kryeministrin Berisha, ndërsa shumica vazhdon t’i përmbahes idesë se 21 janari ishte një tentativë për grusht shteti e vazhdon të mbajë në këmbë komisionin hetimor parlamentar, pavarësisht se nuk rezulton që ky komision të ketë kryer prej shumë kohësh ndonjë aktivitet.

Me rastin e dy vjetorit të ngjarjeve tronditëse të 21 janarit përfaqësuesit e rëndësishëm ndërkombëtar në Tiranë i mëshuan edhe një herë rëndësisë për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe për një proces gjyqësor të besueshëm, të pavarur dhe larg ndikimeve politike.
XS
SM
MD
LG