Lidhje

Armitage: "Me paratë e Albpetrolit zbutet deficiti".


Drejtorja rajonale e Bankës Botërore për Europën Juglindore, Jane Armitage, thotë se Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit perëndimor janë shumë të prekura nga kriza ekonomike që vazhdon në Europë. Për shkak të kësaj rritja ekonomike është shumë shumë e ulët në Shqipëri, ndërsa disa vende janë në recession.



“Rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë midis 0,5 deri në 1 për qind, çka është jashtëzakonisht e ulët. Ulja e varfërisë ndaloi dhe ajo po rritet në disa zona, po ashtu po rritet edhe papunësia. Këto nuk po ndodhin vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin”. - thotë zonja Armitage.

Ajo i bëri këto komente për “Zërin e Amerikës” pas një konference për 20 vjetorin e bashkëpunimit mes WB dhe Shqipërisë. “Tashmë ka edhe probleme fiskale kur rritja ekonomike shkon poshtë, ulet mbledhja e taksave. Të gjithë vendet, përfshirë edhe Shqipërinë, kanë një nivel të lartë deficiti. Shqipëria e ka nivelin e deficitit në masën 60 për qind, i cili është edhe kufiri ligjor. Kjo duhet përmirësuar dhe deficiti duhet ulur. Nuk është e lehtë të arrihet në një kohë me rritje të vogël ekonomike” - tha drejtorja rajonale e Bankës Botërore.

Ajo këshilloi Shqipërinë që një pjesë të paratë e privatizimit të Albpetrolit të përdoren për uljen e borxheve dhe deficitit.

“Ne besojmë se privatizimi i Albpetrolit, i cili sapo u njoftua, i ofroi vendit një mundësi të artë për të përdorur këto fonde, së pari dhe mbi të gjitha për të paguar disa detyrime të grumbullura me kalimin e kohës. Kjo është e vërtetë për Shqipërinë dhe për shumë vende të tjera. Është shumë e rëndësishme për sektorin privat që të paguhen detyrimet e mbledhura gjatë dy vjetëve të fundit në mënrë që të rifinancohen dhe të shpërblehen për shërbimet e kërkuara nga qeveria. Së dyti, ky privatizim i Albpetrolit është një rast unik që duhet përdorur për të ulur deficitin dhe stokun e borxheve” - tha zonja Armitage.

Drejtorja rajonale e Bankës Botërore shtoi se investimet e huaja janë të rëndësishme për Shqipërinë në një numër fushash si turizmi, bujqësia, miniera, manifaktura. Por, Sipas saj, vite më parë Shqipëria ka ecur mirë por tani po bëhet gjithçka më e vështirë për shkak të krizës në eurozonë, sepse shumica e investitorëve janë europianë dhe kanë kaq shumë pasiguri dhe rreziqe. Zonja Armitage tha se investitorët po diskriminohen kudo dhe është shumë e vështirë në këto kushte që një vend të bëhet tërheqës për investime dhe të konkurrojë me fqinjët, sepse të gjithë duan t’i tëheqin këta investues.

“Përmirësimi i klimës së biznesit, forcimi i menaxhimit makro-ekonomik, duke nisur me reduktimin e deficitit, përmirësimi i qeverisjes; të gjitha këto janë kushtet për investime të huaja, sepse investitorët janë shumë nervozë nga diskriminimi dhe nga përballja me rreziqet kritike. Ja pse reformat janë të rëndësishme për Shqipërinë më shumë se kurrë” - tha drejtorja rajonale e Bankës Botërore, Armitage.

Sipas drejtores rajonale e Bankës Botërore, ky përvjetor bashkëpunimi është një rast për të vlerësuar se Shqipëria është një histori e jashtëzakonshme suksesi nga varfëria tek zhvillimi; ajo ka arritur vitet e fundit të reduktojë ndjeshëm varfërinë, ka përmirësuar jetën e njerëzve përmes shërbimeve.
XS
SM
MD
LG