Lidhje

Japonia mbajti sot një minutë heshtje, për të shënuar përvjetorin e parë të tërmetit dhe cunamit


Japonia mbajti sot një minutë heshtje, për të shënuar përvjetorin e parë të termetit dhe cunamit që goditi Japoninë vitin e kaluar, duke çuar në një prej krizave më të rënda bërthamore në histori.

Një alarm i pasuar me një moment heshtjeje shënoi minutën kur termeti 9 ballësh goditi vendin në orën 2:46 mbasdite.

Termeti i një viti më parë shkaktoi një valë vdekjeprurëse që la më shumë se 19 mijë të vdekur dhe rreth 3 mijë të zhdukur. Perandori Akihito kryesoi miliona njerëz në ceremoninë e transmetuar në televizon nga Tokio.

“Në këtë kohë, ne vlerësojmë thellë shpirtin njerëzor të të mbijetuarve, ata që erdhën të na ndihmojnë në zonat e prekura dhe ata që punojnë për të përmbajtur aksidentin bërthamor.”

Ceremoni të tjera u zhvilluan po ashtu përreth zonës së goditur në brigjet verilindore.

Vala goditi centralin bërthamor Fukushima Dai-ichi, duke bërë që tre reaktorë bërthamorë të shkriheshin, duke lënë siperfaqe të mëdha toke të pabanueshme për dekada si rezultat i radiacionit të madh.

Një vit më pas, njerëzit ende po jetojnë në banesa të përkohëshme dhe shumë prej tyre ende të papunë, ndërkohë që përpiqen të rifillojnë jetën.

Ndërkohë, rreth 50 protestues anti-bërthamorë u mblodhën sot pranë zyrave qendrore të Kompanisë së Energjisë Elektrike Tokio, që shfrytëzonte centralin e dëmtuar në Fokushima.

Ata hodhën sllogane duke kërkuar mbylljen e të gjitha centraleve bërthamore dhe shpërbërjen e kompanisë energjitike më të madhe të vendit.

XS
SM
MD
LG