Lidhje

Japonia në prag të zgjedhjeve të përgjithshme


Kryeministri i Japonisë kaloi pa vështirësi fazën e zgjedhjeve për kryesinë e partisë së tij. Kjo nënkupton se ai do të vazhdojë të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Japoni. Por siç njofton korrespondenti Steve Herman nga Tokio, klima politike në Japoni po ndryshon.

Në një vend që ka pasur gjashtë kryeministra që nga viti 2006, kreu aktual i qeverisë ka qëndruar në post për një vit e gjysëm dhe ka arritur ta zgjasë mandatin e tij.

Një ndër drejtuesit e Partisë Demokratike të Japonisë, Minoru Yanagida, deklaron në kongresin e partisë se kryeministri Yoshihiko Noda ka mundur me rezultat të qartë tre sfidues dhe do të vazhdojë të jetë kryetar i partisë.

Zoti Noda thotë se nuk ka arsye për të buzëqeshur dhe premton se do të rikthejë buzëqeshjet në fytyrat e fëmijëve japonezë.

Zoti Noda, i cili mundi me lehtësi tre sfiduesit, u thotë anëtarëve të partisë se udhëheqja e fortë e demokratëve mund të sjellë rimëkëmbje, pas katastrofës që përjetoi Japonia 18 muaj më parë.

Sfida kryesore për zotin Noda si kryeministër i ekonomisë numër tre të botës do të vijë me zgjedhjet e përgjithshme që zhvillohen pas disa muajsh. Kryeministri dhe partia e tij do të ballafaqohen me partinë që ka qeverisur vendin për pjesën më të madhe të periudhës pas Luftës II Botërore.

Partia Liberal Demokrate, me pikëpamje konservatore, do të zgjedhë kandidatin e saj për kryeministër më 26 shtator. Ndër kandidatët e mundshëm janë ish-kryeministri Shinzo Abe, i cili dha papritur dorëheqjen tre ditë pas fillimit të sesionit të ri parlamentar në vitin 2007, duke përmendur arsye shëndetësore dhe stres.

Zoti Abe thotë se synon të sigurojë një shans të ri në krye të qeverisë, duke theksuar se krahasuar me kandidatët e tjerë ai ka përvojë të gjatë në drejtim.
Që të marrë rolin e kryeministrit përsëri, zoti Abe duhet të mundë katër rivalë të tjerë nga partia e tij dhe pastaj ta ndihmojë partinë e tij të sigurojë një numër të mjaftueshëm vendesh në parlament në mënyrë që të marrë mandatin e krijimit të qeverisë.

Por nuk bëhet fjalë për një konkurrim vetëm me dy parti rivale. Një parti e re, e themeluar nga kryebashkiaku 43-vjeçar i qytetit Osaka, Toru Hashimoto, e ka ndryshuar thuajse brenda një dite pejsazhin politik në Japoni.

Ish-juristi, që më pas u bë prezantues i një emisioni televiziv, është shprehur se mbështet idenë e një pavarësie më të madhe për qeveritë lokale në punët e brendshme të administratës locale, më shumë konkurrencë të lirë si dhe forcimin e ushtrisë, e cila është e kufizuar nga kushtetuta pacifiste e vendit.

Disa anketa tegojnë se Partia për Rikthimin e Japonisë e zotit Hashimoto është më popullore se partia në pushtet apo partia Liberal-Demokrate dhe në zgjedhjet e para ku merr pjesë mund të sigurojë një numër të mjaftueshëm vendesh, për t’u bërë faktor vendimtar në përcaktimin e forcës politike që do të qeverisë vendin.

Ish-zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Tomohiko Taniguchi thotë se popullariteti i zotit Hashimoto si personalitet televiziv nuk do të thotë me doemos garanci për fitore në zgjedhjet parlamentare:

“Ai di si ta shfrytëzojë televizionin më mirë se politikanët e tjerë. Kjo është e sigurtë. Por kur bëhet fjalë për anëtarët e partisë së tij, të cilët janë përgjithësisht të panjohur, njerëzit mund të ndjehen më të sigurtë me gardën e vjetër të Partisë Liberal Demokrate”.

Të tria partitë kanë një të përbashkët në politikat e tyre. Ato mbështesin një qëndrim të fortë në politikat lidhur me vijën detare të Japonisë kundrejt fqinjëve të saj.
Analisti Taniguchi thotë se partitë po u përgjigjen një shqetësimi në rritje që ka shfaqur popullata.

“Ndjesia e dobësisë ka hyrë në mendjet e shumë njerëzve në Japoni. Shumë njerëz kanë përshtypjen se ky imazh i një Japonie të dobët ka nxitur vende si Kina, Korea e Jugut dhe Rusia ta shfrytëzojnë në interes të tyre momentin”.

Klika politike ballafaqohet gjithashtu edhe me forcimin e ndjenjave anti-bërthamore në vend, pas katastrofës së vitit të kaluar në centralin e Fukushimës. Kjo ka sjellë demonstrata të shumta në rrugët e Tokios, për herë të parë në disa dekada.

Politikanët e Partisë Liberal Demokrate dhe Partisë Demokrate të Japonisë do të ballafaqohen edhe me zhgënjimin e votuesve nga gjendja e ekonomisë në vend. Kjo situatë rëndohet edhe më tej nga sfida për të zgjidhur problemin e plakjes së shpejtë të popullsisë në këtë vend me 125 milionë banorë.
XS
SM
MD
LG