Lidhje

Pas fjalimit të Presidentit Trump, ende jo marrëveshje për rihapjen e qeverisë


Në përpjekje për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Presidenti Donald Trump po u ofron demokratëve kompromise rreth politikave të tij të ashpra të emigracionit. Siç njofton Steve Herman i Zërit të Amerikës, ato u refuzuan menjëherë nga partia opozitare. Nëpërmjet Twitter-it, Presidenti Trump sqaroi sot se ai nuk po ofron ndonjë lloj amnistie për emigrantët, por se gjithashtu nuk do të ketë dëbime në masë. Megjithatë, ai paralajmëroi Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Ligjvënësen demokrate Nancy Pelosi, për të cilën tha se është zhvendosur aq shumë drejt së majtës, sa që tashmë është bërë zyrtarisht një demokrate radikale.

Presidenti Donald Trump tha se është gati ta thyejë ngërçin dhe të bëjë një marrëveshje me demokratët. Ai kërkon rreth 6 miliardë dollarë për një rrethim çeliku që do të shtrihet në një gjatësi prej rreth 370 kilometrash përgjatë kufirit me Meksikën. Në shkëmbim, ai do të ofrojë tre vjet mbrojtje nga deportimi për një kategori të caktuar emigrantësh.

“Ky është një kompromis i logjikshëm që duhet ta përqafojnë të dyja palët. E majta radikale nuk mundet kurrë të kontrollojë kufijtë tanë. Nuk do ta lejoj kurrë këtë gjë. Muret nuk janë të pamoralshëm. Në fakt, janë e kundërta, pasi kanë shpëtuar shumë jetë dhe kanë ndalur hyrjen e drogave në vendin tonë”, deklaroi Presidenti Trump.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se disa demokratë të moderuar do ta mbështesin planin e Presidentit. Sidoqoftë, të tjerë po i bëjnë thirrje Presidentit të rihapë njëherë qeverinë, përpara se të diskutojë çështjet e emigracionit. Gjithashtu, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti ofertën e Presidentit “një dështim”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG