Lidhje

Angelina Jolie flet hapur për operacionin parandalues


Aktorja dhe regjisorja e njohur Angelina Jolie bëri të ditur se ka hequr vezoret dhe tubat e vezoreve për të pakësuar rrezikun e kancerit. Jolie hapi përsëri debat me vendimin e saj, ashtu si para dy vitesh kur iu nënshtrua mastektomisë së dyfishtë.

Në një opinion në gazetën The New York Times dje, 39 vjeçarja Jolie tha se ajo ka një prirje gjenetike me rrezikshmëri prej 87 për qind për t’u prekur nga kanceri i gjirit dhe 50 për qind nga ai i vezoreve. Edhe nëna, edhe gjyshja e saj kanë vdekur nga kanceri.

Jolie tha se e bëri të njohur publikisht vendimin e saj në mënyrë që gratë të mësonin për alternativat që kanë në dispozicion.

Diskutimi i hapur nga ana e saj u vlerësua nga specialistët e kancerit për rritjen e ndërgjegjësimit për analizat gjenetike dhe operacionet parandaluese për të ulur rrezikshmërinë e kancerit të gjirit dhe vezoreve.

“Dhe arsyeja që kjo është e rëndësishme është se kanceri i vezoreve është shumë i vështirë për t’u dalluar që herët. Shumë shpesh ne e zbulojmë kur janë fazat e avancuara të sëmundjes dhe gruas do t’i duhet t’i nënshtrohet kemioterapisë. Përveç kësaj mbetet frika e rikthimit të sëmundjes dhe vdekjes nga kanceri i gjirit”.

Jolie, që është martuar me aktorin Brad Pitt, iu nënshtrua një mastektomie të dyfishtë para dy vjetësh.

Vetëm një përqindje e vogël grash trashëgojnë të njëjtin gen defektoz. Këto mutacione gjenden më shumë tek gratë me origjinë nga hebrejtë e Evropës Lindore, megjithëse grupe të tjera përfshirë norvegjezët, hollandezët dhe islandezët janë disi më të prirur ta kenë këtë mutacion.

XS
SM
MD
LG