Lidhje

Jordania dhe kërcënimi i Shtetit Islamik


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shkon sot në Jordani për bisedime mbi krijimin e një aleance ndërkombëtare kundër militantëve të Shtetit islamik që kontrollojnë pjesë të Sirisë dhe Irakut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit Scott Stearns, na njeh me ndikimin që mund të ketë për Jordaninë paqëndrueshmëria në rajon.

Jordania po kërkon ndihmë nga Shtetet e Bashkuara për të mos lejuar përhapjen e luftës civile të Sirisë përtej kufirit. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë po diskutojnë për vëzhgime më të mira nga ajri dhe më shumë trajnime për forcat jordaneze të operacioneve speciale.

Mbreti i Jordanisë Abdullah u takua me Presidentin Obama në samitin e NATO-s në Uells javën e kaluar për të diskutuar mbi luftën në Siri dhe Shtetin Islamik, forcimi i të cilit i ka rritur shqetësimet e sigurisë në Jordani, thotë analisti i Institutit amerikan të Paqes Steve Heydemann.

"Niveli i kërcënimit me të cilin përballet Jordania është rritur. Ajo po forcon kontrollin mbi kufijtë dhe mbi simpatizantët vendës të ISIS."

Zyrtarët e sigurisë thonë se shumë militantë të rinj janë frymëzuar nga kleriku mysliman Abu Qatada, i cili u ekstradua nga Britania vitin e kaluar. Jordania e ka shtyrë gjyqin e klerikut. Ai akuzohet për komplot për të sulmuar turistët në festimet e Vitit të Ri 2000, por kleriku ka qenë i dënuar më parë, sepse planifikonte të sulmonte objekte amerikane në Jordani.

Analisti Heydemann thotë se lidhjet e hershme të Jordanisë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara e bëjnë atë një objektiv më të vështirë për udhëheqësit e shtetit islamik në përpjekjet e tyre për t'u zgjeruar përtej Sirisë dhe Irakut.

"Ky është një vend me një ushtri shumë më të efektshme. Jordania ka marrëdhënie shumë të ngushta sigurie me Shtetet e Bashkuara. Ajo shihet në një kuptim si një "vijë e kuqe", që nëse shkelet nga ISIS, mund të shkaktojë një ndërhyrje shumë më të gjerë nga SHBA dhe Perëndimi."

Sigurinë e Jordanisë e ndërlikojnë qindra mijëra refugjatët nga Siria dhe Iraku, thotë ish-ambasadori amerikan, Adam Ereli.

"Njëzet për qind e popullsisë së vendit përbëhet nga refugjatë dhe kjo më bën të shqetësohem për Jordaninë."

Deri tani, autoritetet jordaneze nuk kanë lejuar që kriza e refugjatëve të minojë sigurinë e brendshme. Por këto presione do të rriten, sa më gjatë të vazhdojë konflikti në Siri dhe Irak, thotë analistja Nora Bensahel.

"Në ç'pikë do ta humbë Jordania aftësinë për ta përballuar situatën, qoftë edhe me mbështetjen ndërkombëtare nga partnerët dhe nga Kombet e Bashkuara, të cilat janë përfshirë shumë aktivisht për të ndihmuar situatën e refugjatëve? Deri tani situata është përballuar, por mund të vijë një ditë që ajo të mos përballohet dot," thotë analistja.

Çështja e krizës së refugjatëve dhe e mbrojtjes së kufijve të Jordanisë do të mbetet e rëndësishme për ta mbajtur Mbretin Abdullah në një koalicion të ardhshëm kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG