Lidhje

Tiranë: Prishen në Shkozë mbi 160 banesa


Mësuesi 38 vjeçar i italishtes, Julian Mema, kurrë nuk do ta kishte besuar se do t'i vinte kjo ditë, që të shkatërronte me duart e tij shtëpinë e ngritur me sakrificat dhe kursimet e familjes për afro dy dekada në zonën e Shkozës në periferi të kryeqytetit.

Ekskavatori pret te porta dhe ata duhet të dalin urgjent në një banesë me qera, duke lënë pas gjithçka nga jeta e deritanishme.

Ai dhe nusja, të dy me universitet dhe pa punë, me dy fëmijë të vegjël shkollarë, po rrëzojnë pak nga pak strehën e tyre të ndërtuar me mundim nga dy breza.

“Në këtë banesë janë derdhur kursimet dhe energjitë e gjithë familjes për shumë vote dhe gjithçka po e humbim befas. Nuk na lanë ca kohë të sqarohemi dhe të organizohemi” - tha Juliani.

Urdhëri i bashkisë i nxori nga shtëpia, ku ai jeton me 9 pjeëtarë të tjerë të familjes, nënën e moshuar, vëllain, nuset dhe 4 fëmijë të mitur do të rrëzohet, sepse aty kalon një projekt për rehabilitimin e lumit Lana dhe një pjesë e unazës së kryeqytetit.

Çmontimet e shtëpisë po bëhen me shpejtësi, midis lotëve dhe mërzitjes, madje edhe frikës së policisë, e cila ka rrethuar zonën për të shuar protestat dhe për të lehtësuar përparimin e fadromave.

Trualli ku prindërit e Julianit ngritën shtëpinë është caktuar për ndërtime nga vetë shteti prej territorit të një ndërmarrjeje shtetërore, madje ata paguan në fillim të viteve 90 për ta marrë atë tokë.

“Prindërit nuk e morën me dhunë atë truall, por paguan dhe ndërtuan shtëpinë mbi të me idenë se ishin të ligjshëm” - tha Juliani.

Ata aplikuan në vitin 2006 në ALUIZNI për legalizimin e ndërtesës, por pas 11 vjetësh u erdhi shkresa për pezullimin e procedurave të legalizimit, dhe askujt në këtë zonë nuk i njihet asnjë dokument i mëparshëm pronësie.

Projekti i Shkozës mbi lumin Lana është loti i tretë i unazës, i cili kap mbi 160 banesa me afro 400 familje, ose mbi 1 mijë e 500 banorë.

Projekti minimal më i hershëm ndërtimor në këtë zonë u krye nga qeveria komuniste para vitit 1990, por ajo ishte vetëm një projekt-ide.

Ai projekt për lumin e Lanës është ndryshuar disa herë; para disa vjetësh lumi u projektua të mbulohej dhe mbi ato elemente betoni do të kalonte rruga e makinave.

Por tani së fundi projekti u miratua me lumë të hapur dhe me skarpate e zgjerim deri në 70 metra, duke kërkuar prishjen e dhjetëra banesave dhe duke sjellë dëme të konsiderueshme mbi njerëzit e Shkozës.

Autoritetet shtetërore kanë deklaruar se zona është pjesë e projekteve për zhvillimin e kryeqytetit, nga kalojnë disa rrugë dhe linja, që do ta përmirësojnë ndjeshëm jetën e Tiranës.

Sipas tyre, projekti i shqyrtuar me hollësi parashikon vëllime pune të mëdha dhe kalon në zona, që më parë ishin të pabanuara dhe tani kanë ndërtime pa leje, të cilat nuk janë legalizuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG