Lidhje

Planifikoi sulm terrorist në 4 korrik, arrestohet nga FBI-ja


FBI-ja njoftoi se ka arrestuar një person që dyshohet për planifikimin e një komploti terrorist gjatë festimeve me rastin e 4 Korrikut në Klivlend të Ohajos.

Demetrius Pitts, i cili e ka shprehur besnikërinë e tij ndaj al-Kaidës, u arrestua të dielën, pas takimit me një agjent të maskuar të FBI-së, të cilit i pati thënë se kishte në plan të vendoste një bombë gjatë një paradë me rastin e festimeve për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së.

"Deklaratat e Pitts për qëllime të dhunshme vazhdojnë të shkaktojnë shqetësime gjatë hetimit, ndërsa ai shprehu gatishmërinë për të kryer një sulm në territorin amerikan dhe gjithashtu dëshirën për t’iu bashkuar një organizatë terroriste të huaj", tha Stephen Anthony, agjent special i FBI-së në zyrën e Klivlendit, në një konferencë për shtyp të hënën.

"Postimet e tij të Facebook, ishin vërtet shqetësuese. Ai shkruante se "ne si myslimanë duhet ta nisim çdo ditë, duke ditur si të gjuajmë me armë, të hedhim granata dore apo si të përballemi fizikisht, shtoi zoti Anthony.

Sipas zyrtarëve gjatë takimit të fundit të dielën me agjentin e maskuar të FBI-së, Dmetrius Pitts kishte shprehur dëshirën për të marrë pjesë në një sulm terrorist në katër korrik në Klivlend si dhe për të vrarë personel ushtarak, familjarë të tyre apo dhe agjentë federalë e lokalë.

"Ndaj Pitts janë ngritur akuza në gjykatën federale për përpjekje për të ofruar mbështetje materiale ndaj një organizate terroriste të ditur dhe që në këtë rast është al-Kaida. Dënimi maksimal ligjor për këtë akuzë është 20 vjet burg", tha në një konferencë shtypi të hënën Justin Herdman, Prokurori i Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Veriut të Ohajos.

Zyrtarët thanë se Demetrius Pitts, i cili është një qytetar amerikan dhe i radikalizuar në Shtetet e Bashkuara, pritet të dalë përpara gjykatës më vonë gjatë ditës së hënë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG