Lidhje

Kërkohet pezullimi i gjyqtarit Gjin Gjoni


Në Shqipëri, prokuroria e Elbasanit kërkoi sot pezullimin nga funksioni pranë Gjykatës së Apelit të gjyqtarit Gjin Gjoni, i cili është njëkohësisht dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ndaj gjykatësit Gjoni ka nisur një hetim nën akuzën e fshehjes apo deklarimit të rremë të pasurisë dhe falsifikimit të dokumentave. Hetimet nisën pas një denoncimi nga ana e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive të zyrtarëve i cili ka ngritur dyshime të forta ndaj pasurisë së gjyqtarit Gjoni e cila llogaritet në afër 1.8 milion euro.

Vetë zoti Gjoni i ka hedhur poshtë akuzat duke shpjeguar se pasuria i përket bashkëshortes së tij dhe është krijuar përpara martesës së tyre. Zoti Gjoni është shprehur se sipas tij e gjitha kjo është pjesë e luftës politike mes qeverisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku ai është anëtar.

Kërkesa për pezullimin nga detyra, nga ana e prokurorisë, bëhet pasi sipas saj gjykatësi po hetohet për një vepër penale për të cilën parashikohet dënim mbi një vit burg. E njëjta kërkesë për pezullim është bërë edhe ndaj dy gjyqtarëve të tjerë për të njejtën akuzë.
XS
SM
MD
LG