Lidhje

Këshilltarja e Presidentit Trump, në Rusi për bisedime


Një këshilltare e Presidentit të SHBA Donald Trump ishte për bisedime në Rusi, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov për gazetarët.

Këshilltarja Fiona Hill zhvilloi bisedime në Moskë më 17 prill me disa zyrtarë rusë, duke përfshirë ndihmësin e Kremlinit Yuri Ushakov, sipas zëdhënësit.

Një zyrtar i Ambasadës amerikane e konfirmoi vizitën për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Zonja Hill është drejtore e lartë për çështjet evropiane dhe ruse në Këshillin e Sigurimit Kombëtar të SHBA.

Zëdhënësi Peskov tha se zonja Hill dhe zyrtarët rusë diskutuan për çështje dypalëshe, por jo për ndonjë takim të mundshëm midis Presidentit Trump dhe atij rus Vladimir Putin.

Lajmi vjen nndërkohë që Departamenti amerikan i Drejtësisë publikon një version të redaktuar të raportit të prokurorit të posaçëm mbi ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.

Moska ka mohuar se ka patur ndonjë rol dhe zoti Peskov nuk i dha rëndësi raportit.

"Kjo nuk është një çështje për ne," tha Peskov. "Nuk është diçka që na intereson ose na shkakton shqetësim", tha ai.

"Të gjitha raportet e publikuar deri tani për këtë çështje nuk përmbajnë asgjë tjetër përveçse deklarata sharëse," tha zëdhënësi rus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG