Lidhje

Besueshmëria e Shteteve të Bashkuara në botën arabe është e ulët, thonë analistët


Besueshmëria e Shteteve të Bashkuara në botën arabe është e ulët, thonë analistët
Besueshmëria e Shteteve të Bashkuara në botën arabe është e ulët, thonë analistët

Presidenti amerikan Barak Obama i bëri edhe një herë thirrje presidentit egjiptian Hosni Mubarak ta fillojë tani procesin e tranzicionit politik me rregull, drejt zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim ndikimit të Washingtonit, në se ai ekziston, tek zhvillimet në botën arabe në përgjithësi dhe në Egjipt në veçanti.

Shumë analistë mendojnë se besueshmëria e Washingtonit tek populllsia arabe, apo tek opinioni publik në vendet e Lindjes së Mesme është tepër e ulët.

Një prej tyre është Aaron David Miller, ish zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, tani studjues në Qendrën Wilson të Studimeve Ndërkombëtare.

“Ne jemi zhytur në dy luftra, në Afganistan dhe në Irak. Po përpiqemi t’i përfundojmë ato. Po përpiqemi të menaxhojmë sanksionet kundër Iranit, dhe po e bëjmë këtë me kompetencë, por pa patur shumë sukses, për të mos e lejuar Iranin të sigurojë armë bërthamore. Procesi i paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, edhe më parë, ishte i ngrirë. Unë dyshoj se ne nuk na e kanë frikën, nuk na respektojnë dhe as na admirojnë në rajon, aq sa na duhet, duke patur parasysh rëndësinë që ato vende kanë për interesat tona. Pra, unë mendoj se populli arab ne na respekton shumë pak. Mendoj se njerëzit na thonë JO, pa shumë kosto, apo pasoja dhe unë mendoj se do të jemi një periudhë tepër të vështirë në javët e ardhme."

Zoti Miller thotë se njerëzit duhet të shqetësohen për pasojat e protestave aktuale antiqeveritare dhe ato që mund të ndodhin në të ardhmen në vendet arabe.

“Rezultati i këtyre protestave do të jetë: qeveri që janë shumë më të përgjegjshme dhe që pasqyrojnë më tepër kërkesat dhe opinionin e publikut, që si përgjigje, mund t’i bëjë ata shumë më kritikë ndaj politikave amerikane”.

Daniel Kurtzer, ish-ambasador amerikan në Egjipt dhe në Izrael, thotë se në shumicën e vendeve të Lindjes së Mesme mund të shpëtthejnë demonstrata nëpër rrugë.

“Në atë rajon ka shumë probleme ekonomike. Nuk ka shumë hapësirë për aktivitet politik, pra është e vështirë të parashikosh se ç’do të ndodhë më vonë. Por unë mendoj, se çdo qeveri në rajon është duke u përpjekur ta verë gishtin tek pulsi i popullit të vet dhe ndoshta disa prej tyre mund t’i parandalojnë protestat, duke filluar t’i zgjidhin disa prej problemeve”.

Shumë analistë, si Fawaz Gergens, i Shkollës Ekonomike të Londrës, thotë se në afat të gjatë, pa patur respekt për ndikimin amerikan dhe ndoshta nga mungesa e këtij ndikimi, popujt e vendeve arabe në Lindjen e Mesme do të përcaktojnë fatin e tyre, si në rastin e Egjiptit.

“Fati i egjiptianëve do të përcaktohet nga vetë egjitpianët. Në Lindjen e Mesme popujt po fuqizohen, ata e kuptojnë se status kuoja e një gjendjeje shtypëse i ka bërë një dëm të madh shoqërisë, që nga reputacioni, e deri tek ekonomia e këtyre vendeve. SHBA kanë mundësi të kufizuara, edhe pse ato mund të jenë një force stabiliteti, duke u përpjekur t’i bindin aleatët e tyre, se vetë ata duhet të respektojnë realitetin e ri të politikës në Lindjen e Mesme”.

Analisti shton se ky realitet ka të bëjë me pluralizmin.

“Ka të bëjë me ndërtimin e institucioneve, me bukën e përditshme, me lirine. Në afat të gjatë, do të thoja se realiteti i ri do t’i shërbente interesave strategjike të Amerikës, në veçanti në se protestat rezultojnë në konsolidimin dhe ndërtimin e institucioneve, përmes qeverive pluraliste”.

Në analizën e fundit, Aron David Miller thotë se nuk duhet ekzagjeruar ndikimi amerikan në botën arabe.

“Duhet të kuptojmë diçka se ne nuk e drejtojmë dot historinë. Teologu amerikan Rejnold Nibur ka thënë se historia nuk mund të kontrollohet dhe drejtohet dhe ne duhet të mësohemi me këtë fakt”.

Duke përshkruar Lindjen e Mesme, zoti Miller thotë se ai rajon është me shumë problem, me insitucione që nuk funksionojnë, që do të duhen vite për t’i riparuar dhe se ato nuk mund të riparohen nga jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG