Lidhje

Kabineti francez me numër të njejtë ministrash gra dhe burra


Në fillim të këtij viti, qeveria hoqi dallimin mes shprehjeve “zonjushë” dhe “zonjë” në dokumetat zyrtare, duke përdorur termin e përgjithshëm “Zonjë”

Viti 2012 shënon vitin e të drejtave të grave në Francë. Presidenti i ri francez Franscois Hollande për herë të parë ka barazpeshuar nga pikpamja gjinore kabinetin. Partnerja e tij, gazetarja Valerie Trieweiler, është e para “Zonjë e Parë” e pamartuar. Në fillim të këtij viti, qeveria hoqi dorë nga dallimi mes shprehjeve “zonjushë” dhe “zonjë” në dokumetat zyrtare, duke përdorur vetëm termin e përgjithshëm “Zonjë” . Por vlen për t’u parë nëse këto ndryshime do të jenë të qenësishme apo simbolike në politikën franceze.

Pjesa më e lehtë e ditës për Olivia Cattanin përfundon në drekë, kur ajo lë punën si ndihmës edukatore... dhe nis punën tjetër të saj- si gazetare dhe themeleuese e organizatës feministe “Fjalët e grave”.

Zonja Cattan ka këshilluar presidentin e ri të Francës, Francois Hollande për çështjet e grave. Kabineti i zotit Hollande ka një numër të barabartë ministrash gra e burra.

Në të përfshihet edhe një minstri e re për të drejtat e grave, kryesuar nga 34 vjeçarja Najat Vallaud Belkacem. Zonja Cattan thotë se hapat e parë janë premtues.

“Është një akt i rëndësishëm i zotit Hollande, është një faqe e re. Është qeveria e parë e barabartë nga pikpamja gjinore në Francë. Ai me të vërtetë ka kthyer një faqe të re për feminizmin në Francë”.

Franca ka tashmë për herë të parë jo një zonjë të parë- por një “partnere të parë. Ajo është gazetarja Valerie Trierweiler, e cila nuk është e martuar me zotin Hollande dhe që e shoqëri atë në vizitën e tij të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara.

“Partneriteti i tyre tregon se nuk është e domosdoshme të jesh i martuar për të jetuar me dikë. Ne kemi të drejtën të zgjedhim jetën që duam të jetojmë”.

Çështjet e grave kanë qenë në qendër të vëmendjes në Francë për arsye të tjera- sidomos për skandalet e dyshuara seksuale ku përfshihet edhe ish kryetari i Fondit Monetar dhe politikani francez, Dominik Strauss Khan.

Profesorja e ekonomisë dhe të drejtave të pakicave Anne Boring thotë se skandali i Strauss Khanit ka tronditur shoqërinë.

“Tani gratë kanë më shumë vullnetin për të treguar se çfarë ka ndodhur me to ose të denoncojnë dhunën kundër grave”.

Në rrugët e Parisit, francezët duket se janë të lumtur me frymën e re të pranimit të grave në jetën politike. Mes tyre është dhe tregtari 40 vjeçar Jean Michel Bambois.

“Është mirë mos të ketë dallime mes grave e burrave. Ajo që vlen është aftësia e tyre”.

Regjizorja e teatrit Nadia Vonderhayden gjithashtu i vlerëson ndryshimet e fundit, mes tyre edhe eliminimin e shprehjes “zonjushe” ose “zonjë” nga dokumentat e qeverisë franceze.

“Ndryshimet kanë filluar të pasqyrojnë realitetin e shoqërisë franceze gjë që nuk ka ekzistuar më parë”.

Por profesoresha Boring thotë se gratë ende duhet të luftojnë për të ecur përpara.

“Franca është një vend ku gratë ende janë të diskriminuara në vendet e punës dhe rrogat e tyre janë më të ulëta se të burrave, pavarësisht kualifikimit të njëjtë”.

Aktivistet e të drejtave të njeriut si Olivia Cattan thonë se ato do t’i ndjekin zhvillimet nga afër për të qenë të sigurt që qeveria e re e Francës do të mbajë premtimin e saj për të promovuar barazinë gjinore.

XS
SM
MD
LG