Lidhje

Kaliforni, vazhdojnë hetimet për çiftin që mbante fëmijët e lidhur


Autoritetet në Kaliforni po kryejnë hetime rreth një çifti të arrestuar në fillim të kësaj jave, pasi policia gjeti 13 fëmijët e tyre të kequshqyer dhe të drobitur, të lidhur me pranga në shtëpinë e tyre. Më i vogli nga fëmijët ishte dy vjeçar. David Allen Turpin dhe Anna Turpin u arrestuan pasi një prej vajzave të tyre arriti të arratisej nga shtepia dhe lajmëroi policinë.

Komshinjtë e çiftit thonë se kurrë nuk mund ta kishin imagjinuar atë që po ndodhte tek shtëpia e fqinjit të tyre, ku 13 fëmijë mbaheshin të lidhur dhe thuhet se torturoheshin. Ata janë nga dy deri 29 vjeç. Bonnie është një nga fqinjët.

“Ata ishin të vetmuar dhe pa fjalë. Kaq di. Kurrë nuk e kam ditur që ishin 13 fëmijë. Kam dëgjuar se kishin shumë fëmijë por vetëm kaq.”

Edhe një fqinj tjetër, Wendy Martines, thotë se ata ishin shumë të qetë.

“"Isha duke ecur me qenin tim rreth orës 9 të darkës dhe vura re se kishte katër fëmijë në gjunjë duke vënë një shtresë bari. I përshendeta dhe fëmijët as nuk mi hodhën sytë. "

Shtëpia ndodhet në një lagje të klasës së mesme në Perris, rreth 110 kilometra në juglindje të qytetit Los Angeles. Autoritetet thanë se shtëpia nga brenda ishte shumë e papastër. Gregg Fellows është shef i policisë në Perris.

“Brenda vinte një erë shumë e rëndë. Ishte shumë e papastër dhe siç kemi njoftuar më parë, shumë fëmijë ishin kequshqyer.”

Përveç kësaj, disa nga fëmijët ishin lidhur me zinxhirë tek mobiljet.

“Tre individë ishin lidhur me zinxhirë tek mobiljet e shtëpisë”, thotë shefi i policisë.

Prindërit, 57 vjeçari David Allen Turpin me profesion inxhinier, dhe 49 vjeçarja Anne Turpin, u ndaluan nën dyshimet për torturë dhe rrezikim të fëmijëve dhe lirim me kusht përkundrejt 9 milion dollarë.

Faqja sociale Facebook nën emrin David-Louise Turpin, ende aktive të martën, tregonte foto të viteve 2011 - 2016 të çiftit në prani të fëmijëve në Las Vegas në përvjetoret e martesës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG