Lidhje

Brawley në Kaliforni nën kërcënimin e tërmeteve


Ky komunitet është goditur brenda një jave nga afro 400 tërmete mesatarë

Banorët e qytetit Brawley në Kaliforni po përpiqen të kapërcejnë tronditjen, ndërkohë që përllogarisin dëmet nga disa qindra tërmete me fuqi të vogël dhe të mesme që kanë tronditur rajonin që nga e diela. Ata thonë se këto tërmete janë një sinjal i nevojës për të qenë të përgatitur pasi jetojnë në një zonë sizmike:

Ekipet po rregullojnë dëmet e shkaktuara nga tërmetet. Që nga data 25 gusht zona me 25 mijë banorë është goditur nga më shumë se 400 tërmete, ndër të cilët më i fuqishmi ishte 5.5 ballë.

Mary Lourdes Miller, pronare e një dyqani mobiljesh tregon se iu thyen xhamat e dy dritareve:

“Papritur ndjen dridhjet dhe nuk je e sigurtë nëse do të jetë tërmet 7 ballësh apo 3-4 ballë. Detyrohesh të jetosh në gjendje alarmi deri kur stabilizohet gjendja”.

Në farmacinë e Raj Lunagarias tërmeti rrëzoi shishet e ilaçeve nga dollapet.

“Të gjitha u rrëzuan, ishte rrëmujë e madhe kudo”.

Tërmetet janë qetësuar, por Jay Robertson, punëtor ndërtimi, thotë se ishte një situatë e frikshme:

“Gjithë ditën e gjithë natën dëgjonim uturimën. Jeton me frikën se mund të ketë dridhje përsëri. Në ditë me diell, pa re e bubullima në qiell, dëgjon oshëtima nën këmbë”.

Zyrtarët po analizojnë dëmet thotë Shefi i Zjarrfikësve Chuck Peraza:

“Kemi pësuar dëme masive në një kompleks me kabina banimi në qytetin Brawley, ku rreth 20 njësi u zhvendosën nga bazamenti. Disa biznese që kanë funksionuar që nga

Megjithë problemet, nxënësit filluan shkollat pas përfundimit të pushimeve të verës. Hasmik Danielian është Shefi i Arsimit për zonën:

“Filluam një ditë me vonesë, pasi u siguruam se fëmijët nuk do të jenë në rrezik”.

Një shekull më parë San Fransisko u godit nga një tërmet shkatërrimtar si rezultat i lëvizjes së pllakave tektonike që përshkojnë një pjesë të mirë të Kalifornisë.

Shkencëtarët në Institutin Teknologjik të Kalifornisë po studiojnë një numër zonash gjeologjike ku takohen pllakat tektonike në këtë komunitet dhe të tjerë. Shkencëtarja Kate Hutton pranë këtij instituti thotë se njerëzit duhet të jenë të përgatitur:

“Çdo tërmet na rikujton faktin që jetojmë në një zonë sizmike dhe duhet të jemi të përgatitur”.

Zonja Hutton thotë nuk vihet në diskutim se kjo zonë do të goditet nga një tërmet i fuqishëm në të ardhmen, megjithëse është e pamundur të parashikohet se kur.
XS
SM
MD
LG