Lidhje

Kalifornia merr masa kundër ndotjes së ajrit nga anijet


Kalifornia merr masa kundër ndotjes së ajrit nga anijet
Kalifornia merr masa kundër ndotjes së ajrit nga anijet

Disa nga mjediset më të ndotura në botë janë portet detare, ku degradimi i mjedisit mund të rezultojë në një numër të madh problemesh shëndetësore. Në Shtetet e Bashkuara, Kalifornia ka rregullat më të ashpëra të mjedisit në vend kur është fjala për cilësinë e ajrit në portet e vendit. Dhe rregullat e vendosura nga shteti i Kalifornisë kanë ndikim në anijet nga gjithë bota.

Los Anxhelos nuk është vetëm qyteti i dytë më i madh në Shtetet e Bashkuara, por ai gjithashtu renditet lart për nga ndotja e ajrit. Christopher Patton punon në portin e Los Anxhelosit:

“Ne jemi renditur si ndoshta qyteti me cilësinë më të dobët të ajrit në Shtetet e Bashkuara”.

Portet binjake të Los Anxhelosit dhe Long Beach-it gjenerojnë nivele të të larta ndotjeje, por zoti Patton thotë se këto porte po përpiqen të përmirësojnë cilësinë e ajrit rreth tyre, siç po bëjnë edhe porte të tjera në botë.

“Shumë porte kineze, koreane dhe japoneze po bëjnë të njejtën gjë sepse problemi është universal. Në shumë zona përreth porteve ka dendësi shumë të lartë popullsie dhe ka komplekse industriale. Me shtimin e popullsisë rreth porteve dhe me përmirësimin e standardit të jetesës rritet edhe konsumi. Si rezultat do të ketë më shumë produkte të importuara dhe eksportuara dhe kjo krijon probleme me cilësinë e ajrit”.

Heather Tomley e cila punon në Portin e Long Beach-it thotë se anijet për transportin trans-oqeanik janë në në gjendje më të rëndë:

“Ato çlirojnë 50 për qind më shumë gaze sesa portet dhe ato janë sfida jonë më e madhe”.

Për të pastruar ajrin, Kalifornia është shteti i vetëm në Amerikë që ka detyruar të gjitha anijet të përdorin karburant me nivel të ulët squfuri, kur ato arrijnë distancën 44 kilometra nga bregu. Një studim i kohëve të fundit nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike zbuloi se duke përdorur këtë lloj të karburantit ulet niveli i çlirimit të gazeve të dëmshme në masën mbi 90 për qind. Por kapiteni i anijeve Mark Coynes thotë se shumë anije nuk janë të projektuara për të përdorur karburantin e pastër:

“Ky karburant jo vetëm që mund të dëmtojë motorrin, por mund të shkaktojë probleme operacionale”.

Por, motorrët e anijeve do të duhet të përshtaten me rregullat e reja. Duke filluar nga viti 2012, sipas rregulloreve të Organizatës Ndërkombëtare Detare, të gjitha anijet që operojnë deri në 370 kilometra nga brigjet e Amerikës Veriore do të duhet të përdorin karburant të pastër dizel. Ky standart tashmë është duke u zbatuar në Detin Baltik dhe në Detin e Veriut.

Pasi ankorohen, anijet tradicionalisht vazhdojnë të përdorin naftë për të gjeneruar energji elektrike. Sipas ligjit të Kalifornisë, portet me vëllimin më të madh të trafikut në këtë shtet po punojnë për furnizimin nga bregu për lloje të caktuara anijesh në mënyrë që ato të lidhen me rrjetin dhe të mos djegin karburant gjatë qëndrimit në port. Kjo do të pakësonte çlirimin e gazeve të dëmshme. Porti i Shangait e ofron këtë shërbim.

“Të gjitha portet detare në Shangai po zbatojnë programe agresive për furnizimin me energji nga bregu. Ata po përdorin teknologji që në fakt e kishte zanafillën këtu në Portin e Los Anxhelosit për anijet cisternë”.

Portet amerikane janë gjithashtu duke u përpjekur për të zvogëluar emetimet e shkaktuara nga pajisjet që përdoren për lëvizjen e ngarkesave dhe kamionët. Disa kamionë janë të pajisur me motorrë që përdorin karburant të pastër. Kompania e Peter Torres shet kamionë që funksionojnë me gaz propan. Ai thotë se ka vuajtur nga pasojat e ajrit të ndotur:

“Unë kam punuar në port për 31 vjet, dhe në 15 vitet e fundit kam ndjerë një ndryshim të madh në sistemin tim të frymëmarrjes”.

Brenda disa viteve të ardhshme, portet e Los Anxhelosit dhe Long Beach-it shpresojnë të pajisen me automjete elektrike që do të operojnë në mjediset e portit.

XS
SM
MD
LG