Lidhje

Kalimet e paautorizuara të kufirit SHBA - Meksikë në rekordin më të lartë për 20 vjet


Familje emigrantësh të ndaluar nga Patrulla Kufitare pasi kanë kaluar kufirin SHBA - Meksikë

Me gati katër muaj nën administratën e Presidentit Biden, zyrtarët amerikanë raportojnë vetëm shenja të kufizuara të progresit në stabilizimin e një situate kaotike në kufirin SHBA-Meksikë, me kalimet e paautorizuara të emigrantëve që vazhdojnë në nivelet më të larta prej dekadash, për këtë periudhë të vitit.

Numri i emigrantëve të kapur nga autoritetet amerikane filloi të rritet vitin e kaluar dhe u rrit në mënyrë dramatike në muajt e parë të vitit 2021.

Të dhënat e agjencisë së Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të Shteteve të Bashkuara për muajin prill tregojnë një emigracion pa dokumenta në nivelin më të lartë 20-vjeçar. Agjencia raportoi një total prej 178 622 emigrantësh të kapur për muajin prill. Prej tyre, 111 714 u dëbuan nga vendi sipas një urdhëri të emergjencës shëndetësore për shkak të pandemisë që ua ndaloi shumicës së emigrantëve të ndiqnin procesin e aplikimit për azil ose forma të tjera të ndihmës në Shtetet e Bashkuara.

Arrestimet në kufi në muajin prill ishin 3% më të larta se totali i marsit prej 173 348 dhe dukshëm më i lartë se totali i shkurtit prej 101 120.

Të dhënat sugjerojnë gjithashtu se rritja e rasteve në kufi po nivelohet dhe mund të ketë arritur një nivel të stabilizuar. Por ekspertët nuk janë të sigurt se çfarë do të sjellin muajt e ardhshëm dhe nuk janë gati të deklarojnë se kriza kufitare ka filluar të lehtësohet.

"Lloji i situatës me Patrullën Kufitare që mbingarkohet nga emigrantë më të prekshëm mund të ketë filluar të marrë kthesën", i tha Zërit të Amerikës analistja e Institutit të Politikave të Migracionit, Jessica Bolter. "Një paralajmërim që unë do të jepja është se ka patur historikisht raste kur numrat janë niveluar në prill, ose janë ulur në prill, por më pas janë rritur përsëri në maj, kështu që do të duhet të shohim në të vërtetë numrat e majit në mënyrë që të dimë se ku gjendemi".

Nënpresidentja Harris duke ndjekur në ekran një prezantim të Patrullës Kufitare
Nënpresidentja Harris duke ndjekur në ekran një prezantim të Patrullës Kufitare

Rritja e prurjeve të emigrantëve e bëri kufirin SHBA-Meksikë një fokus të hershëm të Presidentit amerikan Joe Biden, i cili caktoi Nënpresidenten Kamala Harris për të mbikqyrur dhe koordinuar përgjigjen e administratës.

Duke folur me Zërin e Amerikës, këshilltari i politikës së emigracionit në Shtëpinë e Bardhë, Tyler Moran tha se shifrat kufitare nuk tregojnë të gjithë historinë.

"Emigrimi është një fenomen normal. Numrat rriten e ulen për një numër arsyesh të ndryshme," tha zoti Moran. "Mund të ketë faktorë të lidhur me dhunën. Mund të jetë paqëndrueshmëria politike. Mund të jenë katastrofat natyrore - gjithashtu sepse sistemi ynë ligjor i emigracionit është kaq i vjetëruar."

Republikanët kritikë ndaj Presidentit Biden pranojnë kompleksitetin e situatës, ndërsa fajësojnë mesazhet e presidentit për shkëputjen nga politikat kufizuese ndaj emigracionit të paraardhësit të tij, ish-Presidentit Donald Trump.

"Megjithëse besoj se kriza e tanishme është shkaktuar ose përshpejtuar në mënyrë të panevojshme nga politikat e gabuara, unë gjithashtu e kuptoj se ka grupe komplekse, të ndërlidhura të faktorëve që luajnë rol në vendimin që dikush të lërë vendin e tij", tha Ligjvënësi republikan Peter Meijer në një deklarata të fundit.

Të rritur të pamartuar, të mitur të pashoqëruar

Ndërsa shumë vëmendje është përqendruar në kalimet kufitare tek të miturit e pashoqëruar, disa ende vogëlushë, grupi më i madh i emigrantëve që mbërrijnë janë të rriturit e pamartuar.

Në fakt, sipas Patrullës Kufitare, numri i të miturve të pashoqëruar ra pak nga marsi (18 960) deri në prill (17 171), edhe pse numri i përgjithshëm i emigrantëve vazhdoi të rritet.

Ndërsa shumica e emigrantëve vazhdojnë të dëbohen, administrata e Presidentit Biden ka përjashtuar të miturit e pashoqëruar dhe familjet me fëmijë të vegjël nga politika e përgjithshme e deportimit.

Përpunimi, strehimi dhe përkujdesja për mijëra të rinj shpejt u bënë një sfidë urgjente për administratën e re ndërsa stacionet e Patrullës Kufitare të papajisura për t'u kujdesur për nevojat e fëmijëve, u mbingarkuan shumë.

Që nga fillimi i prillit, Shtetet e Bashkuara kishin më shumë se 5 700 të mitur të pashoqëruar në objektet e Patrullës Kufitare. Në javët që pasuan, qeveria hapi 14 strehimore emergjente të drejtuara nga Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), njësia federale e ngarkuar për t'u kujdesur për fëmijët emigrantë. Më pas, numri i të miturve në kujdestari të Patrullës Kufitare ra me më shumë se 90%.

Fëmijët emigrantë strehohen nga shiu në një makinë të Patrullës Kufitare në Teksas
Fëmijët emigrantë strehohen nga shiu në një makinë të Patrullës Kufitare në Teksas

"Trajtimi i fëmijëve të pashoqëruar është përmirësuar, jo vetëm gjatë disa muajve, por madje edhe në krahasim me administratat e kaluara. Unë mendoj se administrata e Presidentit Biden është përpjekur të rrisë bashkëpunimin midis agjencive të ndryshme qeveritare," tha zonja Bolter.

Deri më 18 maj, 675 fëmijë ishin në kujdestari të Patrullës Kufitare dhe 19 387 ishin në kujdesin e Departamentit të Shëndetësisë. Më shumë se 444 të tjerë ishin lëshuar nën kujdesin e prindërve ose kujdestarëve të tjerë që tashmë jetonin në Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG