Lidhje

Merkel: Masat shtrënguese e vetmja rrugë për të shpëtuar nga kriza e borxheve


Kancelarja Gjermane Angela Merkel theksoi sot se reformat strukturore që mbështesin masat shtrënguese janë e vetmja rrugë për Europën që t’i mbijetojë krizës aktuale të borxheve. Komentet e kancelares Merkel vijnë disa ditë mbasi votuesit në Francë e Greqi u shprehën kundër shkurtimeve buxhetore.

Kancelarja Merkel tha se vendet që përdorin monedhën Euro nuk duhet të tërhiqen ose të braktisin masat shtrënguese në këtë moment.

Ajo tha gjithashtu se të rrisësh borxhin për të siguruar rritje ekonomike mund ta çojë sërish ekonominë në fazën fillestare të krizës.

Kancelarja Merkel tha se nuk ka “kurë magjike” dhe se kombinimi i zvogëlimit të borxhit me rritjen ekonomike janë dy shtyllat që do të nxjerrin Bashkimin Europian nga kriza ku është përfshirë.

Duke patur parasysh Greqinë që përballet me krizën financiare, Bashkimi Europian vendosi dje që t’i jepte këtij vendi një hua prej 6.6 miliard dollarësh, ku 5.5 miliardo do të jepen brenda kësaj jave ndërsa pjesa tjetër së afërmi.

Analisti i financave Andreas Lipokow thotë:

“Falimentimi i Greqisë do të çonte patjetër në rënien e tregjeve. Po ashtu ky rast shërben si shembull se çfarë ndodh kur negociatat dështojnë dhe kur, si në rastin e Greqisë, rezultati i masave shtrënguese merrej si i garantuar. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian dhanë një paketë ndihmash financiare e cila, në rast të një falimentimi të Greqisë, do të ishte e padobishme dhe nuk do të sillte asnjë rezultat”.

Ndërkohë në Spanjë qeveria ka marrë nën kontroll bankën e katërt më të madhe të vendit, Bankia. Kjo bankë është institucioni më i madh financiar që merret në kontroll nga qeveria spanjolle që nga recesioni i vitit 2008.

Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompey thotë:

“Për të bindur banorët europianë se çfarë është e nevojshme që të bëhet, udhëheqësit politikë duhet të thonë të vërtetën, ashtu siç është. Populizmi dhe nacionalizmi nuk janë përgjigjet e përshtatëshme për sfidat me të cilat përballemi sot. Ata që thonë se vendi i tyre mund t’ia dalë me sukses i vetëm, jo vetëm mashtrojnë vehten e tyre, por gënjejnë. Nëse ne nuk do të kishim Europën e Bashkuar, kostoja do të ishte e paimagjinueshme.”


XS
SM
MD
LG