Lidhje

Teknika të reja për operacionin e kancerit të gjirit


Lajmi se Angelina Jolie ka kryer një mastektomi ka risjellë në qendër të vëmendjes zgjedhjet e vështira me të cilat përballen gratë që kanë këtë kancer

Vendimi i aktores Angelina Jolie për t’iu nënshtruar një mastektomie të dyfishtë, për të reduktuar rrezikun e kancerit të gjirit, ka risjellë në qendër të vëmendjes zgjedhjet e vështira me të cilat përballen gratë që vendosin të bëjnë operacion të gjirit. Por mjekët thonë se përmirësimi i teknikave të operacioneve po ndihmon në zgjerimin e alternativave për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit.

Angelina Jolie vendosi të kryente procedurën pasi mësoi se mbartëte një gen që rriste rrezikun për t’u prekur nga kanceri i gjirit dhe ai i vezoreve. Ajo tha se procedurat, që i filloi në shkurt dhe i përfudoi në fund të prillit, pakësojnë shanset e saj për t’u prekur nga kanceri nga 87 përqind në 5 përqind.
Jolie tha se vdekja e nënës së saj nga kanceri në vitin 2007 në moshën 56 luajti gjithashtu rol në vendimin për të kryer operacionin. Ajo thotë se vendosi që të njoftojë publikisht për operacionin e saj, duke shpresuar që të rrisë ndërgjegjësimin për një rrezik të tillë dhe për ta drejtuar vëmendjen tek fakti që ekziston mundësia për të bërë këtë ndërhyrje parandaluese.
Trajtimi i kancerit të gjirit pothuajse gjithmonë përfshin operacion dhe një zgjedhje të vështirë. Një gruaje i duhet të vendosë të heqë masën kanceroze apo gjithë gjoksin.
Cilado të jetë zgjedhja, mjekët thonë se një operacion plastik i suksesshëm është i rëndësishëm për rimëkëmbjen fizike dhe psikologjike të një pacienteje me kancer gjiri.
Metodat e reja për operacionin e gjirit po e ndryshojnë dramatikisht mënyrën sesi po bëhen këto procedura.
Ato po u japin grave më shumë alternativa, trajtim më të shpejtë, plagë më pak të dallueshme, efekte anësore më të pakta dhe rezultate më të mira kozmetike.
Rose Ragona është një prej grave që ka përfituar nga këto mënyra të reja dhe thotë se kjo e ndihmoi të përballonte tronditjen pas kryerjes së mastektomisë së dyfishtë muajin e kaluar.
“Kur u zgjova dhe pashë që ende e kisha pjesën e jashtme të gjirit, indet dhe lëkurën përreth, shpërtheva në lot”.
Mjekët e Ragonës përdorën një nga metodat më të fundit të operacionit të kancerit të gjirit, që ruan në të njëjtën kohë pjesën e jashtme të gjirit të saj.
“U ndjeva sikur në një farë mënyre, kisha shpëtuar”.
Kirurgët thonë se po vazhdojnë të zbulojnë mënyra më të mira për të trajtuar kancerin e gjirit, duke përdorur teknika që inkurajojnë rigjenerimin e gruas.
Dr. Deanna Attai e Shoqatës Amerikane të Kirurgëve të Gjirit thotë:
“Ka pasur një përparim të jashtëzakonshëm në procedurat kozmetike dhe teknikat e rindërtimin e gjirit që mund t’u ofrojmë grave. Këto përparime kanë sjellë një specialitet të ri ‘operacion onkoplastik’, duke kombinuar onkologjinë që përqendrohet tek trajtimi i kancerit dhe kirurgjia plastike që rregullon pamjen e jashtme”.
Më parë mjekët mendonin se nuk ishte ide e mirë të filloje rindërtimin deri kur të përfundonte trajtimi i kancerit: operacion, kimioterapi dhe rrezatim.
Gratë i nënshtroheshin mastektomisë, që zakonisht përfshin heqjen e lëkurës dhe një pjese të madhe të gjirit, së bashku me indet dhe pas disa muajsh një operacion të dytë për ndërtimin e gjirit.
Prirja e re është rindërtim i menjëhershëm, duke filluar njëkohësisht me mastektominë. Në disa raste, i gjithë procesi mund të kryhet me një operacion.
“Një përparim i rëndësishën është mastektomia që ruan lëkurën dhe pjesën e sipërme të gjirit. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Ruajtja e lëkurës përgjithësisht do të thotë që ne heqim indet e gjirit por lëmë lëkurën e sipërme. Shpesh unë ia përshkruaj pacientëve duke u thënë se është si të heqësh pjesën e brendshme të portokallit duke lënë lëkurën”.
Mjekët po përpiqen gjithashtu të ruajnë pjesën e sipërme të gjirit kur është e mundur dhe ky është një hap i rëndësishëm pasi kjo pjesë ka më shumë prirje të preket nga kanceri sesa lëkura.
Vetëm pesë për qind e grave përfitojnë aktualisht nga kjo teknikë, por nëse kjo rezulton një metodë e sigurt, rastet mund të shtohen.
Një metodë që ka ngjallur interes quhet ngrirja e tumorit dhe mjekët po analizojnë nëse kjo përbën një alternativë tjetër trajtimi.
“Është një teknikë jo-agresive. Na lejon të ngrijmë tumorin me anestezi lokale. Pra pa anestezi të përgjithshme dhe plagët janë shumë minimale”.
Doktoresha Attai është pjesë e një studimi për krioblacionin.
Është një metodë pa operacion që përdor një sondë dhe nitrogjen të lëngshëm për të ngrirë tumorin nën lëkurë.
Indet e vdekura të ngrira thithen gradualisht nga trupi. Mjekja është optimiste.
“Pres të vijë dita kur mund t’u ofrojmë grave me tumore të vogla gjiri, një metodë pa operacion dhe mendoj se kjo do të jetë e mundur së shpejti”.
Kanceri i gjirit është më i përhapuri mes grave në botë dhe këto përparime jo vetëm mund të shpëtojnë jetë, por edhe t’i lejojnë ato të kenë përsëri një jetë të plotë.
XS
SM
MD
LG