Lidhje

Kandidatët demokratë për president, debat pa audiencë


Bernie Sanders dhe Joe Biden
Bernie Sanders dhe Joe Biden

Dy kandidatët e fundit demokratë për president të Shteteve të Bashkuara - ish-Nënpresidenti Joe Biden dhe senatori i Vermontit, Bernie Sanders - debatojnë natën e së dielës në një botë të kthyer përmbys nga pandemia e koronavirusit, të ulur në një studio televizive në Uashington pa asnjë person të pranishëm në audiencë.

Dy politikanët veteranë do të shkëmbejnë mendimet e tyre - dhe ka të ngjarë edhe kritikat – për mbi dy orë.

Të dy shpresojnë të fitojnë nominimin presidencial demokrat për t'u përballur me Presidentin republikan Donald Trump në zgjedhjet kombëtare të nëntorit, kur ai do të përpiqet të marrë një mandat të dytë katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Sidoqoftë, zoti Biden ruan një avantazh të qartë për momentin në garën për emërimin presidencial të partisë, përpara këtij debati, ndoshta të fundit, përpara konventës për emërimin demokrat në korrik.

Debati ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej përpara një audience, siç ka ndodhur në takimet e mëparshme, por u transferua në një studio televizive të kanalit CNN, për të minimizuar mundësinë e kontaktit me këdo që mund të ketë marrë koronavirusin vdekjeprurës.

Pas një fillimi të vështirë në tre konkurimet e para për nominimin presidencial në muajin shkurt, zoti Biden ka fituar tashmë 16 nga 21 zgjedhjet e fundit të zhvilluara në shtetet amerikane. Gjithashtu, ai është kandidati favorit për katër zgjedhjet e ardhshme që zhvillohen të martën, në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, në Florida në jug, në Ohio dhe Illinois në zemër të vendit, si dhe në Arizona në perëndim.

Zotit Biden i duhet një shumicë prej të paktën 1.991 delegatë në kongres dhe për momentin drejton zoti Sanders, i cili ka fituar 809 delegatë, përkundër 666 të zotit Biden. Projeksionet në faqen në internet për parashikimet politike fivethirtyeight.com tregojnë se zoti Biden ka të ngjarë të shtojë edhe 200 delegatë të tjerë më shumë në votimet e së martës.

Debatet e mëparshme kanë pasur të paktën gjashtë kandidatë në skenë, shpesh duke çuar në një bisedë të hapur për të gjithë, me kandidatët që ndërprisnin njëri-tjetrit dhe duke i lënë shikuesit televizivë pa mundësinë për të kuptuar mesazhet e ndonjërit prej tyre. Kjo mund të reduktohet me vetëm dy kandidatë që kanë më shumë vëmendje dhe kohë televizive për të folur.

Të gjithë kandidatët e tjerë demokratë që kanë braktisur garën presidenciale, kanë dhënë mbështetje për zotin Biden, me përjashtim të senatores Elizabeth Warren, e cila ende nuk ka shprehur mbështetjen për zotin Biden apo zotin Sanders.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG