Lidhje

Kandidatët republikanë bëjnë fushatë në Illinoi


Kandidatët republikanë për president po bëjnë fushatë në shtetin Illinoi para zgjedhjeve paraprake që do të zhvillohen në këtë shtet më 20 mars. Republikanët kanë mbajtur zgjedhje paraprake në një numër shtetesh për të zgjedhur kandidatin e tyre i cili do të përballet me presidentin demokrat Barack Obama, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Megjithëse qyteti më i madh në Ilinois, Chicago, është i rëndësishëm për kandidatët, votuesit në pjesët rurale dhe më konservatore të këtij shteti mund të luajnë rol të madh në përcaktimin e fituesit për republikanët. Ekonomia dhe shpenzimet qeveritare duket se janë shqetësimet më të mëdha për votuesit e Illinoit.

Në dyqanin e tij të vogël në qendër të qytetit Pontiac, Jon Sear merret me riparimin e kompjuterëve. Ai thotë se e drejton biznesin e tij në bazë të një parimi themelor.

“Nuk punohet me deficit. Shpenzoj aq sa kam, nëse nuk kam para nuk shpenzoj. Është një parim i logjikshëm.”

Por ai thotë se kjo logjikë mungon në qeverinë e shtetit Illinoi, ku buxheti është 11 miliardë dollarë më i madh se të ardhurat.

Ndërkohë që kandidatët republikanë vazhdojnë fushatën në të gjithë shtetin, problemi i buxhetit në Illinoi, dhe shpenzimet e qeverisë federale janë shqetësimi i shumë votuesve, duke përfshirë zotin Sears dhe gruan e tij Amy Sears.

“Kjo të shqetëson sepse nuk e kuptoj se si duke shpenzuar më shumë gjërat do të rregullohen. Çdo njeri duhet të paguajë faturat e tij si qytetar, dhe të kërkojë që qeveria të bëjë të njëjtën gjë”.

Anketat tregojnë se në Illinois, ish-guvernatori i shtetit Massachusetts Mitt Romney ka një epërsi të vogël ndaj ish senatorit Rick Santorum. Romney mund të fitojë me lehtësi mbështetjen e grupit më të madh të republikanëve të moderuar në Çikago, ndërsa Rick Santorum pritet të dalë më mirë në rajonet jashtë qytetit. Santorum mund të dalë mirë në qytetet më të vogla si Pontiac, që ka 12 mijë banorë.

Në zgjedhjet e mëparshme paraprake, Santorum u përqëndrua në çështjet sociale, si aborti, për të fituar mbështetjen e më shumë votuesve konservatorë. Por Jon Sear thotë se kjo strategji nuk do të funksionojë në Illinois.

“Ato çështje janë të rëndësishme, por unë mendoj se çështjet që lidhen me buxhetin janë më të rëndësishme”.

Jim McConoughey është drejtues i organizatës Heartland Partnership, e cila punon për nxitjen e zhvillimit ekonomik në Illinoin qëndror.

“Mendoj se çështjet sociale janë të rëndësishme për shumë njerëz, por në fund të gjithë duan që fqinjët e tyre të rikthehen në punë dhe të ketë vende pune për fëmijët e tyre”.

Për çiftin Sear shqetësim kryesor përbën e ardhmja e fëmijëve të tyre.

“Kur ke fëmijë, fillon të shqetësohesh për këto gjëra. Çfarë do të ndodhë kur ata të rriten? Si do të jenë gjërat atëherë? A do të jetojnë në një vend siç jemi rritur ne dhe a do të jenë në gjendje të krijojnë familje?”

Jon dhe Amy Sears mendojnë se Rick Santorum i ka përgjigjet për këto pyetje të rëndësishme, dhe duan që ai t’i zgjidhë problemet ekonomike të vendit në mënyrë që ata të vazhdojnë të merren me biznesin e tyre të kompjuterëve. Mbetet për t’u parë nëse republikanët e Illinoit janë dakord me këtë ide apo mendojnë se Romney është zgjedhja më e mirë për trajtimin e problemeve ekonomike të vendit.

XS
SM
MD
LG