Ndërsa Mitt Romney arriti një fitore të madhe në New Hampshire, në garën e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të 2012s mbeten gjashtë kandidatë. Të gjithë ata po përgatiten për ndalesën tjetër të garës në Karolinën e Jugut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës William Ide na sjell hollësi.
Mitt Romney fitoi 40% të votave në New Hampshire, duke dalë kështu në krye të garës. Në fjalimin e fitores, ai u përqendrua tek gara në Karolinën e Jugut dhe tek Presidenti Barak Obama që do të jetë më në fund rivali i tij kryesor.
"Sonte, ne i kërkojnë popullit të mirë të Karolinës së Jugut të bashkohet me qytetarët e New Hampshire-it për ta bërë 2012, vitin e largimit të Presidentit Obama nga posti”.
Kongresisti Ron Paul, i cili doli i dyti në New Hampshire, mbeti optimist, po ashtu edhe Jon Huntsman, ish guvernator i shtetit Utah dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kinë.
"Do të thosha, zonja dhe zotërinj, se vendi i tretë është inkurajues për të vazhduar garën”.
Rick Santorum, i cili humbi ndaj Romney-t vetëm me 8 vota në Iowa, e paraqiti veten si kandidati më i përshtatshëm i bazës republikane.
"Zonja dhe Zotërinj, ne kemi një mundësi në këtë garë. Ne kemi mundësinë të jemi konservatorët e vërtetë”.
Por analistët politikë thonë se rivalët republikanë të Romney do ta tregojnë në Karolinën e Jugut më 21 janar nëse do të jenë në gjendje t’i sfidojnë seriozisht pozitat e tij të forta.
"Kandidatët Rick Santorum dhe Jon Huntsman e përqendruan gjithë vemendjen e tyre në zgjedhjet paraprake në Iowa dhe New Hampshire, por nuk i kushtun kohë dhe para garës në Karolinën e Jugut. Tani të gjithë, përveç Romney-it do të përpiqen të fitojnë sa më shumë në Karolinën e Jugut”.
Edhe para votimeve në New Hampshire, kandidatët zhvillonin takime me votuesit në Karolinën e Jugut, duke u përpjekur t’i hapnin rrugë fitores së tyre.
Mitt Romney ka marrë mbështetjen e kadidatit republikan për president në 2008, John McCain, i cili fitoi në zgjedhjet paraprake të Karolinës së Jugut atë vit. Ai ka marrë edhe mbështetjen e guvernatores së shtetit, Nikki Haley.
Analistët thonë se nëse konservatorët që nuk e duan Romney-in fillojnë të grumbullohen rreth një kandidati të caktuar, Romney ka të ngjarë të përfundojë rivali i Presidentit Barak Obama në zgjedhjet e përgjithëshme.