Lidhje

Kantrimen: Zoti Krasniqi t’i drejtohet Gjykatës për opinion mbi imunitetin


Kantrimen: Zoti Krasniqi t’i drejtohet Gjykatës për opinion mbi imunitetin
Kantrimen: Zoti Krasniqi t’i drejtohet Gjykatës për opinion mbi imunitetin

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Tomas Kantrimen, i bëri thirrje Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi që Parlamenti t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për opinion lidhur me imunitetin e deputetëve. Zyrtari i lartë amerikan ndalet në intervistë edhe tek roli i Ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristofer Dell. Me zotin Kantrimen bisedoi shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.

Zëri i Amerikës: Zoti Kantrimen, ju falemnderit për kohën që na kushtuat. Le të fillojmë me Kosovën. Duket se ka paqartësi përsa i përket procedurave që duhen ndjekur për heqjen e imunitetit të deputetëve nën hetime. Të krijohet përshtypja sikur palët duan t’ia lënë njera tjetrës përgjegjësinë se kush do ta hedhë hapin për këtë nismë. Cili është mendimi juaj?

Tomas Kantrimen: Më lejoni t’ju përgjigjem duke thënë se gjëja më me fat në historinë e Shteteve të Bashkuara është se, kur ishim një republikë e re, kur sa kishim fituar pavarësinë, ne patëm një brez politikanësh që mendonin se kushtetuta dhe respektimi i ligjit ishin më të rëndësishme se politika. Që nga ajo kohë, kjo ka qënë në themel të stabilitetit tonë. Pyetja që ju shtroni nuk ka të bëjë vetëm me paqartësinë ose shmangien e përgjegjësive, por është një çështje po aq e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës sa atëherë, kur Shtetet e Bashkuara ishin një vend i ri. Ashtu siç u shpreh edhe ambasadori Dell në intervistën për Zërin e Amerikës, kjo ka të bëjë me atë nëse Kosova dëshiron të jetë një shtet ku sundon ligji apo ku sundon politika. Dallimi është thelbësor. Ajo që presim të shohim sot, janë udhëheqës që vihen në krye, të cilët marrin përgjegjësi për institucionet që drejtojnë dhe për rendin kushtetues të vendit. Kjo është ajo që ne presim nga Kryetari i Parlamentit, zoti Krasniqi, as më pak e as më shumë. Pra, se është koha të tregohet që Kosova është e aftë të ketë të njëjtat standarte të sundimit të ligjit për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë anëtarët e parlamentit. Gjykata Kushtetuese duhet të japë opinionin e saj, për të sqaruar disa nga paqartësitë që përmendni ju, por Gjykata nuk mund ta kryejë detyrën e saj nëse parlamenti, dhe konkretisht kryetari i tij, nuk janë të gatshëm të kryejnë detyrën. Nëse nuk e bëjnë këtë, nëse bien pre e tundimit për të mos bërë asgjë dhe për t’u mbrojtur pas imunitetit parlamentar, kjo nuk do t’i shërbente sundimit të drejtësisë në Kosovë. Kjo do të dëmtonte emrin e Kosovës jo vetëm në Bruksel, por edhe këtu në Uashington. Pra është koha që të mos drejtohet gishti tek tjetri për përgjegjësinë, por që parlamenti të mbajë përgjegjësi për vendimet e veta.

Zëri i Amerikës: Por përse duhet pritur që rekomandimin ta bëjë parlamenti dhe jo qeveria, siç thotë zoti Krasniqi?

Tomas Kantrimen: Për dy arësye. Së pari, Kushtetuta e Kosovës, ashtu si ajo e Shteteve të Bashkuara dhe si shumë të tjera në Evropë, parashikon ndarjen e pushteteve, mes ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. Që dega ekzekutive të kërkojë opinion për imunitetin e legjislativit, kjo e dëmton parimin e ndarjes së pushteteve. Së dyti, çdo institucion duhet të jetë përgjegjës për veten e tij. Nuk ka dyshim se kjo është një çështje shumë serioze. Ajo që duhet të sqarohet është se sa i gjerë është imuniteti që ofron Kushtetuta për anëtarët e parlamentit. Në se anëtarët e parlamentit, nuk janë në gjendje të marrim përgjegjësi për veten e tyre, dhe, në bazë të kushtetutës, të kërkojnë mendimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo do të ishte një ditë shumë e keqe dhe një precedent shumë i keq për atë që ne presim nga udhëheqësit politikë. Kryetari i parlamentit duhet të marrë një vendim, ashtu siç morën politikanët në historinë e Amerikës, nëse dëshiron të veprojë si një politikan tipik ballkanas, apo dëshiron të kujtohet në histori si një politikan që, në një moment jetik të historisë së një vendi të ri, u tregua i vendosur.

Zëri i Amerikës: Çfarë tregon një rast i tillë për funksionimin e institucioneve në Kosovë, pra në një moment kur bëhet fjalë për akuza serioze, gjithë energjia harxhohet për procedurat?

Tomas Kantrimen: Është e natyrshme që, në një shtet i cili ka qënë i pavarur për vetëm 3 vjet, të ketë manovra proceduriale, para se të gjendet përgjigja e duhur. Megjithatë, mua më ka lënë mbresë pjekuria e sistemit politik të Kosovës gjatë vitit të fundit. Ai nuk është i përkryer, nuk është aq i efektshëm dhe aq i pastër sa ç’meritojnë qytetarët e Kosovës, por megjithatë shumë çështje të komplikuara politike dhe ligjore i ka zgjidhur si duhet përmes Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e ka angazhimin për të kryer detyrën e saj, qeveria e ka angazhimin për të kryer detyrën e saj, tani i takon parlamentit të tregojë të njëjtin angazhim.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara kanë qënë shumë të angazhuara në Kosovë që nga dita e parë e pavarësisë. Sot Ambasadori Dell po luan një rol shumë aktiv, kam këtu parasysh rastin e zgjedhjes së presidentit apo edhe tani për çështjen e imuniteteve. Kjo mund të ketë krijuar perceptimin se ambasadori amerikan mund të jetë angazhuar më tepër se ç’duhet, duke e kapërcyer rolin e tij. A është angazhimi i tij i justifikuar? Ai po përpiqet të ndihmojë, por a nuk mund të sjellë pasoja të kundërta kjo për një vend të ri, që po përpiqet të rritet?

Tomas Kantrimen: Komenti im i parë është se edhe ata që e kritikojnë duke thënë se ai është shumë aktiv, kërkojnë ndihmën e tij. Ne nuk ndihemi të turpëruar nga fakti që gëzojmë një besueshmëri të madhe në Kosovë, që banorët dhe politikanët e të gjithë spektrit politik, na besojnë si një palë që vepron në të mirë të Kosovës dhe jo si një palë që vepron në të mirë të këtij apo atij politikani, për këtë apo atë parti. Ky është roli që luajnë Shtetet e Bashkuara në Kosovë. Dhe amabasadori Dell e bën këtë punë jashtëzakonisht mirë. Ai gëzon besimin e plotë të Uashingtonit në këtë drejtim. Pa dyshim është e vërtetë se me pjekurinë e demokracisë në Kosovë, do të ishte plotësisht e drejtë që roli i Shteteve të Bashkuara të ishte më shumë ai i një partneri dhe më pak ai i një këshilltari, ose i një “vëllai të madh”, në se mund të shprehem kështu, çka nuk ka qënë kurrë synimi ynë. Dhe Kosova do të arrijë në këtë pikë. Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjë Kosova, qeveria, publiku dhe shtypi, është të çojë përpara marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Ne do të donim të shihnim që Bashkimi Evropian të gëzonte të njëjtin respekt në Kosovë që kanë Shtetet e Bashkuara. Kjo do të ishte rruga e Kosovës drejt pjekurisë së plotë të demokracisë së saj.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG