Lidhje

Partitë pro-pavarsisë fituese të zgjedhjeve rajonale të Katalonjës


Ish-presidenti në mërgim i Katalonjës Carles Puidgement tha sot se do të takohet me Kryeministrin e Spanjës Mariano Rajoy diku jashtë vendit për të biseduar, një ditë pasi partitë pro-pavarësisë fituan shumicën në zgjedhjet rajonale të Katalonjës. Ai tha gjithashtu se do të kthehej në Spanjë, nëse i jepen garanci se mund të rimarrë postin si kryetar i një qeverie të re katalanase. Zgjedhjet e së enjtes u kërkua të mbaheshin, pasi Madridi e pezulloi qeverinë e Katalonjës dhe arrestoi shumë nga udhëheqësit e pavarësisë, pas një refendumi të shumë debatuar në tetor:

Përkrahësit e pavarësisë u mblodhën të enjten në mbrëmje për të festuar rezultatin e zgjedhjeve, pasi tre partitë pro-shkëputjes ruajtën shumicën e përgjithshme me dy vende.

Udhëheqësit e partisë kërkuan lirimin e udhëheqësve të pavarësisë që janë mbajtur në burg.

“Forcat republikane dhe pro pavarësisë fituan përsëri në zgjedhjet e Katalonjës. Fituam! Rroftë liria! Populli votoi për lirinë dhe për kthimin e qeverisë nga mërgimi!”- tha një aktiviste e Partisë Republikane.

Partitë pro-pavarësisë do të kërkojnë tani formimin e një qeverie koalicioni brenda Parlamentit katalanas. Ndoshta ato mund të thonë tani se kanë mandatin për të kërkuar një referendum të ligjshëm për pavarësinë.

Mes politikanëve në mërgim është edhe ish presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, i cili pati shkuar në Belgjikë në tetor. Në një fjalim sfidues të mbajti pas zgjedhjeve, ai u zotua se do të kthehet në Barcelonë:

“Fillimisht, si president i Katalonjës, do të doja të uroja popullin katalonase që dha këtë mësim të shkëlqyer për civilizimin dhe demokracinë: një pjesëmarrje rekord, historike, në zgjedhje, që solli një rezultat të cilin nuk mund ta verë në dyshim askush,”- tha ai.

Por fitorja nuk ishte aq dërrmuese sa pritej: partitë pro-pavarësisë fituan dy vende më pak se në zgjedhjet e vitit 2015.

Për herë të parë, një parti pro-unitetit të Spanjës, Ciudadanos - Qytetarët, fitoi në zgjedhje, por nuk pati vota të mjaftueshme për të formuar qeverinë.

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy u pati bërë thirrje votuesve katalanas “të kthejnë normalitetin.” Por në të kundërt, ata e hodhën poshtë me shumicë dërrmuese votash Partinë e tij Popullore, që humbi 8 nga 11 vendet që kishte në Parlament.

Votuesit pro-pavarësisë thanë se rezultati i votimeve përligji çështjen e tyre.

“Në se i mbledhim të gjitha votat pro-pavarësisë, ne kemi shumicën. Prandaj, mendoj se duhet ta shpallim përsëri Republikën.”- tha një banor i Katalonjës.

Spanja dhe Europa, patën shpresuar se zgjedhjet do t’i jepnin fund krizës politike. Por lëvizja separatiste duket se është ri-aktivizuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG