Lidhje

Kavanaugh përsëri në Kongres, për një raund tjetër pyetjesh


I emëruari për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh u kthye sot për një raund tjetër pyetjesh dhe seanca filloi me tone dramatike. Një senator demokrat, bëri publike disa emaile të zotit Kavanaugh që i ishin dhënë Komisionit Juridik të Senatit për t’u shqyrtuar në mënyrë konfidenciale. Senatorët po vendosin nëse do ta mbështesin kandidaturën e tij për t’u bërë anëtari i nëntë i gjykatës më të lartë të vendit.

Senatori Corey Booker, tha se do të ishte i gatshëm të merrte parasysh edhe përjashtimin nga Senati, për të bërë publike një email të zotit Kavanaugh ku flitej për stereotipe racore. Zoti Booker tha se e dinte që po shkelte rregullat.

Dhjetra mijëra dokumenta i janë dhënë Komisionit Juridik të Senatit, por ato janë klasifikuar konfidenciale vetëm për përdorim të anëtarëve dhe nuk u lejohet atyre që të bëjnë pyetje lidhur me të. Por demokratët thanë sot se nuk ishin dakord me këtë klasifikim, prandaj nuk duhet të jenë të detyruar ta respektojnë.

Ndërsa republikanët kundërshtuan duke thënë se dokumentat duhet të mbeten konfidenciale.

Gazeta “The New York Times” shkruante sot se si jurist në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Presidentit George Bush, gjykatësi Kavanaugh e kishte sfiduar përcaktimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për të drejtat e abortit si “ligj të pakundërshtueshëm”. “The New York Times” tha se një burim i paidentifikuar ia kishte dhënë dokuementat. Emaili ishte shkruar në vitin 2003 dhe ishte një prej mijëra dokumentave që një jurist i Presidentit Bush, ia kishte dorëzuar Komisionit.

Ashtu si ditët e mëparshme gjatë seancës, disa protestues u ngritën duke kundërshtuar me zë të lartë ndaj kandidaturës së zotit Kavanaugh.

Gjatë seancës të së mërkurës, zoti Kavanaugh u zotua se do të ishte i pavarur nga Presidenti Trump. Por ai nuk pranoi të thoshte nëse një president, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të jetë i detyruar të dëshmojë, kur i kërkohet.

"Para së gjithash përsa i takon pozicionit kushtetues për hetim dhe ndjekje penale, unë nuk kam marrë qëndrim për periudhën kushtetuese. Mendimi im është se i takon Kongresit ta shqyrtojë një gjë të tillë, nëse e sheh të arsyeshme”.

Kjo çështje ka rëndësi të veçantë duke pasur parasysh hetimin e Prokurorit të posaçëm, Robert Mueller për lidhjet e mundshme të zyrtarëve të fushatës së Presidentit Trump me Rusinë në vitin 2016. Zoti Mueller nuk i ka kërkuar zotit Trump të dëshmojë, por mundësia ekziston për një gjë të tillë lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhje.

Presidenti Donald Trump, që e emëroi zotin Kavanaugh në korrik, tha se është i kënaqur me ecurinë e seancave deri tani.

Nëse konfirmohet nga Senati, zoti Kavanaugh do të konsolidonte shumicën konservatore, duke zëvendësuar ish-anëtarin e Gjykatës, Anthony Kennedy, një konservator i moderuar që hidhte shpesh votën vendimtare në gjykatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG