Lidhje

Sekretari Kerri për vizitë në Kinë


Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri i tha Presidentit të Kinës, Xi Jinping, se tani është një “kohë kritike”, ndërkohë që të dy udhëheqësit diskutuan për programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe çështje të tjera.

Sekretari Kerri u takua me Presidentin Xi në Pekin sot, ndërsa fqinjët e e Koresë së Veriut në Azinë Lindore presin të shikojnë nëse Feniani do të bëjë realitet kërcënimin e tij për të provuar një raketë bërthamore.

Kryediplomati amerikan u ka bërë thirrje zyrtarëve kinezë të përdorin ndikimin e tyre si aleatët më të ngushtë të Koresë së Veriut për ta bindur Fenianin të heqë dorë nga kërcënimet.

Zoti Kerri theksoi gjithashtu se Kina dhe fqinjët e saj përballen edhe me sfida të tjera si Irani, armët bërthamore, kryengritjet në Siri dhe gjendja ekonomike nëpër botë që ka nevojë për ngritje.

Në një fjalim të mbajtur kohët e fundit, Presidenti Xi tha pa përmendur specifikisht Korenë e Veriut se “asnjë vend nuk duhet të lejohet ta zhysë rajonin dhe botën në kaos për qëllimet e tij egoiste”.

Sekretari amerikan i Shtetit u takua gjithashtu sot edhe me ministrin e Jashtëm kinez
Wang Yi, i cili bëri thirrje për paqe, për dialog dhe për çnuklearizimin e Gadishullit Korean.
XS
SM
MD
LG