Lidhje

Sekretari i Shtetit John Kerry shkon në Tokio


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u takua në Tokio me Ministrin e Jashtëm japonez, Fumio Kishida për të formuluar një mesazh të fortë për Phenianin, ndërsa Koreja e Veriut kërcënon të kryejë një provë me armë balistike. Pas bisedimeve, Sekretari Kerry deklaroi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur Japoninë. Ai shtoi se do të zhvillohen bisedime të tjera të nivelit të lartë lidhur me një zgjidhje paqësore të situatës në gadishullin korean. Zoti Kerry mbërriti sot në Tokio nga Pekini. Nesër ai ka në plan të takohet me kryeministrin japonez, Shinzo Abe për të diskutuar mbi programin e armëve të Koresë së Veriut.

Ndërsa Sekretari Kerry bëri ndalesën e fundit të turneut të tij në 3 vende të Azisë, Japonia vazhdon të jetë në gjendje të gadishmërisë së lartë. Interceptorët e raketave janë gati të parandalojnë çdo sulm të mundshëm me raketa të Koresë së Veriut.
Të shtunën, zoti Kerry u takua në Pekin me udhëheqësit kinezë, mes tyre edhe shefin e politikës së jashtme, Yang Jiechi, për të diskutuar rreth kërcënimeve koreane.

“Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarin së bashku hapa për të arritur objektivin e një gadishulli Korean pa armë bërthamore. Sot ne ramë dakord për bisedime të mëtejshme për të vepruar shumë shpejt me hollësi të përpikta se si ta arrijmë këtë objektiv”.

Të dy diplomatët ranë dakord se gadishulli Korean pa armë bërthamore është kritik për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Zoti Yang u zotua se Kina do të mbështesë këtë përpjekje.

“Kina do të bashkëpunojë me vende të tjera, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara për të luajtur një rol konstruktiv në nxitjen e bisedimeve 6-palëshe dhe për të avancuar zbatimin e objektivave të përcaktuara në deklaratën e përbashkët të 19 shtatorit 2005”.

Koreja e Veriut ka kërcënuar të sulmojë me armë bërthamore Shtetet e Bashkuara dhe objektiva të tjera amerikane në rajonin e Azisë. Pheniani ka paralajmëruar gjithashtu se është afër zhvillimit të një prove tjetër me raketë.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ofroi negociata me Korenë e Veriut për një zgjidhje paqësore të tensioneve në gadishullin Korean në se Pheniani ndërmerr hapa për të respektuar detyrimet ndërkombëtare.

Diplomati i lartë amerikan tha se Pheniani ka “një kurs të qartë veprimi në dispozicion” dhe do të gjejë “një partner të gatshëm” për negociata tek Shtetet e Bashkuara.

Zoti Kerry i bëri komentet në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtëm japonez Fumio Kishida sot në Tokio.

Zoti Kerry ritheksoi gjithashtu angazhimin e Uashingtonit për të mbrojtur Japoninë, një aleat i rëndësishëm amerikan në rajon. Korea e Veriut ka përsëritur kërcënimet për të sulmuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj rajonal përfshi Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Pheniani ka thënë se kërcënimet janë në përgjigje të manovrave të përbashkëta ushtarake amerikano-koreanojugore dhe sanksioneve ekonomike të OKB-së që synojnë ta ndërshkojnë atë për një seri provash bërthamore.
XS
SM
MD
LG